Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi, ka reaguar pas shkrimeve në disa media ku thuhet se “njerëzit e Haradinajt”, janë të përfshirë në deportimin e gylenistëve.
Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, Matoshi ka thënë se përpjekjet në çfarëdo forme për të thënë se “njerëzit e Haradinajt” ndërlidhen me kidnapimin dhe deportimin në mënyrë arbitrare të gjashtë qytetarëve turq në vendin e origjinës, është thjeshtë tendencë e dëshpëruar e shpërndarjes së përgjegjësisë.
“Janë të dështuara përpjekjet që në çfarëdo forme të ndërlidhen “njerëzit e Haradinajt” me kidnapimin dhe deportimin në mënyrë arbitrare të gjashtë qytetarëve turq në vendin e origjinës, është thjeshtë tendencë e dëshpëruar e shpërndarjes së përgjegjësisë, sepse sot është vetëm, politike e nesër mund të jetë edhe penale, në ndërkohë që Haradinaj nuk është informuar fare për operacionin, sepse po ta dinte – duke e njohur sensin e tij për drejtësi – kurrë nuk do të ndodhte deportimi”, ka shkruar Matoshi.
Më tej ai ka theksuar se e vërteta do të dalë në shesh dhe ajo nuk mund të fshihet nga askush përgjithmonë, me fakte alternative ose të fabrikuara.
“Duhet një hetim i hollësishëm, nga i cili dikush pëson por fiton Republika, kurse institucionet emancipohen me e ruajt tjetrin nga vetja”, tha Matoshi. /Telegrafi/