Telegrafi

Matoshi e quan Gjuriqin fashist klasik

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi, ka reaguar ndaj deklaratave të Shefit të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili sot e ka mohuar masakrën e kryer nga forcat serbe në Reçak, në janar të vitit 1999.

Matoshi, përmes një postimi në Facbook, ka thënë se “një nga pasuesit e politikës së Millosheviqit, i ngarkuar me Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Marko Gjuriq, në vend të kërkimfaljes shqiptarëve për tragjedinë e shkaktuar, mohon madje edhe masakrën e Reçakut, të cilën e ka konfirmuar Shefi i KDOM, (Mision Vëzhgues Diplomatik në Kosovë) William Walker”.

Postimi i plotë i Matoshit:

“Dialog me qiftin e Marko Djurić!?

Jo falemnderit!

Sipas mediave në Prishtinë, që citojnë B92 e Beogradit, një nga pasuesit e politikës së Milošecić-it, i ngarkuar me Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Marko Djurić, në vend të kërkimfaljes shqiptarëve për tragjedinë e shkaktuar, mohon madje edhe masakrën e Reçakut, të cilën e ka konfirmuar Shefi i KDOM, (Mision Vëzhgues Diplomatik në Kosovë) William Walker.

Po ashtu neofashisti Djurić i ka mohuar edhe krimet tjera anë e kënd Kosovës.

Djurić duke akuzuar NATO-n për intervenimin ndaj Serbisë miloševićiane, për ta ndaluar përpjekjen gjenocidale ndaj shqiptarëve, injoron ndër tjera edhe vrasjen e 1370 fëmijëve nga 1-15 vjeç, dhunimin e rreth 20 mijë grave shqiptare dhe vrasjen e mbi 10 mijë civilëve, sipas Fondit Ndërkombëtar Humanitar me seli në Beograd, nga forcat serbe në Kosovë.

Qe me kë u dashka të rikthehet në dialog pala kosovare!?

Qe për kauzën e kujt po angazhohen disa çarqe brenda BE-së dhe Zonja Mogherini!?

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe tërë selia e BE në Bruxelles, do të duhej të tronditeshin nga kjo deklaratë në vend se ta fajësojnë Kosovën.

Thjesht Djurić është fashist klasik!

Ai i ka vrarë përsëdyti viktimat në Kosovë!?” (sic.), ka shkruar Matoshi.

Reagimi i Matoshit vjen Gjuriq ka thënë se qëllimi i bombardimeve të NATO-s, 20 vjet më parë, ishte që ‘të mos mbetej asnjë serb në Kosovë’.

Gjuriq ka përmendur edhe Reçakun, e cila ishte një nga masakrat më të mëdha nga forcat serbe në Kosovë, por sipas Gjuriqit, ‘ai nuk ishte krim”.

“Nëse fillojmë me Reçakun, kemi nga atje analiza që nuk ka pasur krime që mund të kenë çuar në një agresion të tillë. Institucionet legale nuk e kanë konfirmuar kurrë dyshimin se në fshatin Reçak ndodhi diçka e tillë,  apo në ndonjë fshat tjetër të Kosovës’, ka thënë Gjuriq. /Telegrafi/