Site icon Telegrafi

Matka e mbushur me turistë, por ankohen për mungesën e kushteve dhe përkujdesit (Video)

Turistë nga vendi, rajoni e bota udhëtojnë në Matkë për të shijuar bukuritë natyrore të kanjonit, por shpesh kthehen të dëshpëruar nga mungesa e infrastrukturës dhe kushteve elementare. Gadaf Salihi, njëri nga shitësit ambulant, që çdo ditë është në Matkë thotë se mungesa e tualeteve dhe shportave janë gjërat për të cilat më së shpeshti ankohen vizitorët.

“Kohëve të fundit ka gjithnjë e më shumë vizitorë, sidomos vikendeve. Edhe rrugët bllokohen nga kallaballëku. Mirëpo investimi është katastrofë, nuk ka tualete, nuk ka shporta. Vizitorë ka shumë, sidomos nga Kosova”, tha Gadaf Salihi, shitës ambulant.

Shumicën e turistëve në Matkë e përbëjnë qytetarët e Kosovës fqinje. Nga ata që kanë ardhur për ta kaluar ditën e dielë në Matkë, thonë se natyra është mbresëlënëse, por mungesa e tualeteve, shportave dhe infrastrukturës adekuate lënë një përshtypje jo të mirë për kujdesin që shteti i kushton kësaj qendre turistike.

Lexo po ashtu Matka – vendi që patjetër duhet të vizitohet në Maqedoni (Foto/Video)

“Më pëlqejë natyra, shumë e bukur, një peizazh shumë i bukur, mirëpo kishte mungesë të shportave për mbeturina”, tha për TV21, Aldi Hoxha, vizitor nga Kosova.

Kanjoni i Maktës është ndërtuar në vitin 1963, ndërsa thellësia e saj është deri 35 metra. Shtegu për këmbësorë dhe rruga ujore për barka është gjithsej 6 kilometra i gjatë. Ndryshe në të kaluarën, për të ndritur vetëdijen për nevojën e ruajtjes së ambientit dhe pastrimin e kanjonit, ambasadorët e huaj në vend kanë organizuar disa herë iniciativa për të pastruar kanjonin.

Exit mobile version