Legjenda e Interit, Marco Materazzi iu përgjigj me ironi tregimit të Zlatan Ibrahimovicit, duke falënderuar suedezin, pasi “pa ju nuk do të kishim fituar kurrë!”.
Ibrahimovic ka dhënë një intervistë për GQ duke treguar për kohën kur e dërgoi Materazzim në spital pasi mbajti mëri për katër vjet, për shkak të një dueli të vitit 2006.
Tani, ish-mbrojtësi i Interit iu përgjigj me një koment sarkastik yllit suedez.
Ai postoi një foto të skuadrës fituese të tripletës nga sezoni 2009-10, me kapitenin Javier Zanetti që mbante trofeun e Ligës së Kampionëve, një trofe që Zlatan nuk e ka fituar asnjëherë gjatë karrierës së tij.
“Erdha … pashë … fitova…”, filloi Materazzi në stilin e Ibrahimivicit.
“Gjithmonë dhe në çdo rast, FALEMINDERIT, Ibrahimovic. Pa ju nuk do të fitonim kurrë Ligën e Kampionëve”, ka shkruar mbrojtësi italian.
Ibrahimovic u transferua në Barcelonë afatin e verës para se Interi të fitonte tripletën, në një marrëveshje shkëmbimi përfshirë Eto’o, i etiketuar nga Materazzi në këtë post. /Telegrafi/