Telegrafi

Mata flet pas kartonit të parë të kuq në karrierë

Juan Mata është shprehur i zhgënjyer që mori kartonin e parë të kuq në karrierë në ndeshjen ndërmjet Manchester Unitedit dhe West Bromit.

Spanjolli mori dy kartonë të verdhë në pjesën e parë dhe u përjashtua në minutën e 26-të duke e lënë skuadrën me dhjetë lojtarë në pjesën e mbetur të ndeshjes.

Dhe në gjysmën e dytë, Salomon Rondon shënoi golin e fitores për WBA-në. Trajneri Louis van Gaal madje e ka akuzuar mesfushorin si fajtorin kryesor për humbjen e ndeshjes.

“Kjo është një situatë e re dhe e çuditshme për mua, jo lehtë për t’u gëlltitur, por ne mësojmë nga gjithçka”, ka thënë Mata, i cili paraprakisht kishte zhvilluar afro 500 ndeshje profesionale pa e shijuar kartonin e kuq.

“Mendoj se të dy vendimet ishin rigoroze që në shumë raste ndërhyrjet e tilla nuk ndëshkohen në atë mënyrë, por njëkohësisht kam mundur t’i shmang dhe e marr përgjegjësinë”, ka shtuar ai.

Mesfushori u ka kërkuar falje tifozëve dhe të gjithë atyre që e kanë shikuar ndeshjen.

“Unë e marr përgjegjësinë, si në momente të mira ashtu edhe në të këqija, ashtu siç kam bërë gjithmonë dhe do të vazhdoj të bëj. Faleminderit shumë për mbështetjen tuaj”, ka thënë Mata. /Telegrafi/