Telegrafi

“Masterplani i Kompleksit Memorial Adem Jashari” përplasë sërish Ramën dhe LVV-në në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar sërish ndaj partisë Lëvizja Vetëvendosje lidhur me Masterplanin e Kompleksit Memorial Adem Jashari.

Rama përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se LVV-së prej tetë vitesh ka udhëhequr me kryeqytetin e s’kanë mundur të bëjnë asgjë për realizimin e projektit të sheshit “Adem Jashari”.

“Mungesa e punës zbulon hipokrizinë. Për tetë vite, Vetëvendosje ka udhëheq me Prishtinën. Tetë vite kanë dështu me realizu projektin e Sheshit Adem Jashari në Prishtinë, e dje tentuan të moralizojnë e të flasin për vlera.

Pasi kam marrë detyrën, kam kërku zhvillimin e Sheshit Adem Jashari në Prishtinë. Pesë (5) projektet e përzgjedhura janë prezantuar përfaqësuesve të familjes Jashari me 09 korrik 2024.

Në vitin 2010, pra para 15 viteve, në shenjë nderimi dhe respekti për familjen Jashari, kam zhvilluar dhe dorëzuar një projekt për Kompleksin Memorial në Prekaz me vetëiniciativë dhe pa asnjë kompenzim financiar.

Kjo arrihet kur punon dhe lartëson vlerat tona, e jo me fjalë boshe e propagandë”, ka shkruar Rama.

Tutje ai tha se tentimi i Vetëvendosjes në Prishtinë të moralizojnë rreth mbrojtjes së vlerave përmes fjalëve boshe, propagandës e sabotimit e të marrin rolin e gjykatësit vetëm sa e rikonfirmon hipokrizinë e tyre. /Telegrafi/