Të dielën, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë, në orën 14:00 bëhet prezantimi i fundit për këtë edicion të festivalit “Anibar”, nga Celia Bullwinkel. Ajo do të ndajë me publikun përvojën e promovimit të suksesshëm të filmit të saj në internet.
Celia është animatore që punon dhe jeton në New York. Filmi i saj “Sidewalk” është shfaqur në mbi 25 festivale dhe është klikuar mbi pesë milionë herë në internet, si dhe është paraqitur në faqe të ndryshme, përfshirë: Huffington Post, Roger Ebert, Upworthy, Marie Claire, Cosmopolitan, Think Progress…
Ky fjalim që ka për shënjestër bashkimin e artistëve dhe filmbërësve që kërkojnë këshilla për vetëpromovim, do të ofrojë strategji dhe këshilla për lidhjen me një audiencë në internet.
Gjatë kësaj masterklase, do të keni mundësinë të gjeni përgjigje në shumë pyetje të rëndësishme për promovimin, si: kur është koha më e mirë për të vënë një film në internet, si të krijojmë një Press Kit digjital dhe çfarë mjete mund të përdorim për të krijuar një audiencë në internet?
Kjo masterklasë nga Bullwinkel është e hapur jo vetëm për filmbërësit por edhe për publikun e interesuar të mësojë nga eksperienca e saj. /Telegrafi/