Site icon Telegrafi

Me maskë floriri kundër coronavirusit, biznesmeni indian hap portofolin për të ruajtur shëndetin

Biznesmeni indian Shankar Kurhad, ka deklaruar se ka paguar rreth 4 mijë dollarë (rreth 3.500 euro) për një maskë të floririt të punuar me përmasa të tij, e cila do të duhej ta mbronte nga coronavirusi.

Janë nevojitur 8 ditë që të kryhet kjo maskë mbi të cilën është vendosur 60 gramë flori, ka njoftuar Kurhad që jeton në pjesën perëndimore të Indisë, transmeton Telegrafi.

“Është një maskë e hollë me ventilatorë që më ndihmon të marr frymë më lehtë”, ka deklaruar Kurhad për France Press, duke pranuar se megjithatë nuk e di nëse ky lloj i maskës mund ta mbrojë nga coronavirusi dhe pikërisht për këtë arsye ka ndërmarrë masa tjera mbrojtëse.

Kurhad është 49-vjeç dhe i pëlqen të bartë stoli ari deri në një kilogram kur del jashtë, rreth qafës bartë zinxhir por edhe unaza të shumta.

Indiani që merret me ndërtimin e hangarëve, ka thënë se ideja për prodhimin e një maske të floririt i erdhi pasi pa një reportazh për një burrë që kishte prodhuar një maskë të argjendtë.

Në Indi është e obligueshme bartja e maskave mbrojtëse në hapësira publike, si preventivë në luftën kundër coronavirusit. Në këtë vend nga virusi janë infektuar 650 mijë qytetarë si dhe 18.600 tjerë humbën jetën nga COVID-19. /Telegrafi/

Exit mobile version