Site icon Telegrafi

Maskat e fytyrës, cilat duhet të zgjidhni

Fytyra duhet të pastrohet me kujdes dy herë në ditë: në mëngjes dhe në darkë. Dhe për çdo herë nuk duhet të mungojë kremi i ditës apo i natës. Ky është rregulli që parashtrojnë estetistët, të cilët për maskat e fytyrës japin këshilla të posaçme.

E gjithë procedura e përdorimit të maskës bazohet në tre elemente: dëshirë, durim dhe kohë në dispozicion. Ndaj, kur të vendosni të përdorni maskën që i kombinon llojit të lëkurës suaj, zgjidhni një ditë të lirë, pa shumë detyrime, me qëllim që të ndiqni me kujdes të gjithë procedurën. Por, edhe nëse koha është shumë e kufizuar për ju, vendosni maskë qoftë edhe një herë në javë.

Zgjidhni maskën 

Për të zgjedhur maskën e përshtatshme, d.m.th. atë që i përgjigjet me saktësi nevojave të lëkurës suaj, mendoni se çfarë kërkoni në atë moment: hidratim, shkëlqim, ushqim, tendosje, ajrosje etj. Ka shumë mundësi që të keni nevojë edhe për dy apo më shumë maska, nëse lëkura juaj është e përzier ose paraqet nevojat të ndryshme në zona të ndryshme, si psh. e yndyrshme në ballë, hundë dhe mjekër dhe e thatë në pjesën tjetër të fytyrës. Gjithashtu, madhësia e problemit përcakton se sa herë duhet të përdorni maskë.

Zakonisht, mjafton një herë në javë, por nëse psh. lëkura juaj është shumë e thatë, atëherë do të keni nevojë për më shumë herë. Mos harroni gjithashtu, se nevojat e lëkurës varen edhe nga stina, niveli i hormoneve dhe gjendja psikologjike, transmeton Telegrafi.

Nevojat tuaja

Nëse keni lëkurë të thatë

Maskat më të përshtatshme janë ato hidratante. Përpiquni që lëkura juaj të jetë e lagësht me qëllim që maska të aktivizohet lehtë dhe shumë shpejt. Vendosni në të gjithë fytyrën (përveç syve dhe buzëve) një shtresë të trashë. E lini të veprojë për sa kohë që këshillojnë përgatitësit e saj. Mos e shpërlani, por me një pambuk hiqni me kujdes atë pjesë që lëkura nuk arriti ta thithte. Nëse dëshironi të trefishoni rezultatin, përdorni, menjëherë më pas, një krem ushqyes.

Nëse lëkura është e yndyrshme

Maskat më ideale për këto raste janë pastrueset. Përdorni ato rregullisht dhe mos harroni të bëni piling me një produkt të butë, gati 2 herë në javë. Shmangiuni zonës së ndjeshme të syve dhe mos e lini maskën që të veprojë më pak ose më shumë se sa rekomandojnë përgatitësit e saj. Nëse e hiqni më shpejt se ç’duhet, nuk do të jetë thithur dhe poret nuk do të jenë pastruar deri në thellësi, ndërkaq është e padobishme që ta mbani më shumë orë pasi nuk do të keni rezultat më të mirë.

Nëse keni lëkurë të ndjeshme

Një pastrim i thjeshtë me ujë të destiluar, përpara se të vendosni maskën, forcon veprimin kurues. Pastroni lëkurën me pambuk ose shami letre, pa e fërkuar fort. Vendosni maskën dhe shtrihuni në kanape, duke u qetësuar për sa kohë që ajo vepron. Mbuloni sytë me pambuk të lyer me kamomil dhe shijoheni këtë moment shlodhësh që nuk shkon më shumë se 10 minuta.

Nëse lëkura juaj është e lodhur

Pavarësisht nga lloji i saj, ka momente që lëkura duket e lodhur, pa shkëlqim sikur të mos ketë jetë në të. Në këto raste një maske rigjeneruese do të ndihmonte që të vinte në vete dhe të fitonte shkëlqimin e mëparshëm, sikurse edhe do të luftonte rrudhat dhe do të tendoste lëkurën.

Një maskë për çdo rast

Hidratantet

Janë të pështatshme për lëkurat e thata dhe shumë të thata, të cilat ose paraqesin mungesë lagështie të përhereshme ose vuajnë herë pas here nga thatësia. Të pasura me aloe vera, proteina qumështore, banane, mjaltë dhe vitaminë E, maskat hidratante ushqejnë lëkurën e uritur me lagështirë, duke lehtësuar funksionin e qelizave dhe frymëmarrjen e lëkurës.

Kurueset

Përmbajnë kamomil dhe përbërje të tjera që “qetësojnë” lëkurën e irrituar, duke ndihmuar në funksionimin më të mirë të lëkurës. Gjithashtu, përdoren edhe për lëkura me puçrra.

Tendosëset

Janë të mira për lëkura më të pjekura, që kanë filluar të paraqesin shenja rënieje. Ato ndihmojnë në tendosjen e lëkurës dhe zhdukjen e gjurmëve të viteve mbi fytyrë (në shumicën e rasteve vetëm përkohësisht).

Për pastrim në thellësi

Këto maska përdoren për lëkurat e yndyrshme (zakonisht për moshat e reja). Arrijnë të pastrojnë poret si dhe të pengojnë shfaqjen e puçrrave dhe shenjave të zeza. Zakonisht, maskat e pastrimit janë të pasura me vitamina, por përmbajnë edhe argjil (me ngjyrën e zakonshme të gjelbërt).

Për shkëlqim dhe rigjenerim

Këto maska kanë në përbërje vitaminë C dhe duke bërë një pastrim të lehtë të lëkurës, arrijnë tëë largojnë qelizat e vdekura dhe i japin asaj shkëlqimin e nevojshëm. Mund t’i përdorni pak para se të vendosni makiazhin.

Maskat-ekspres

Veprojnë në kohë rekord (vetëm 5 minuta) dhe i japin lëkurës freski e shkëlqim. Por ato janë të rezultatshme kryesisht në fytyra që nuk paraqesin probleme.

Si vendoset maska?

• Pak para se të vendosni çfarëdolloj maske, duhet ta pastroni lëkurën me shumë kujdes (në fytyrë dhe qafë).
• Vendosni një shtresë të trashë në fytyrë e qafë dhe zbatoni me saktësi udhëzimet që japin përgatitësit. Ndonëse, maskat-ekspres kërkojnë pak kohë (vetëm 5 minuta), shumica e maskave të tjera duhet të qëndrojnë mbi lëkurë më shumë se 10 minuta.
• Në asnjë rast maska nuk duhet përhapur në zonën e syve dhe në buzë, përveç se në rastet kur produkti këshillohet edhe për këto zona.
• Maska hiqet nga lëkura, duke përdorur pambuk dhe më pas ujë të bollshëm. Zakonisht menjëherë më pas përdoret krem i posaçëm.
• Përdorni maska që kombinojnë me llojin e lëkurës suaj.
• Shmangiuni maskave me fruta, nëse keni lëkurë të ndjeshme.
• Preferoni ta vendosni maskën menjëherë sapo keni bërë një banjo të ngrohtë, kur poret janë ende të hapura dhe i japin mundësi maskës të veprojë më mirë.
• Mos preferoni maska që paralelisht pastrojnë në thellësi, nëse keni puçrra.
• Mos harroni se maskat janë të nevojshme, por ato nuk mund të zëvendësojnë përdorimin e produkteve të tjera kozmetike për fytyrën.

/Telegrafi/

Exit mobile version