Telegrafi

Mashtruesi nga Vushtrria dyshohet se përfitoi dhjetëra miliona euro

Kursimet e tij e krejt familjes i shkuan dëm. M.M. nga Vushtrria është një nga dhjetëra viktimat që dyshohet se ranë pre e mashtrimit të Jeton Mehmetit nga ky qytet.

I njëjti ishte në arrati që nga korriku i vitit të shkuar e po kërkonte azil në Gjermani. Por të mërkurën u kthye e u arrestua sapo ateroi në Aeroportin e Prishtinës.

Mësohet se shuma e përfituar është dhjetëra miliona euro, por që nuk është deklaruar e gjitha nga krejt të dëmtuarit. Siç mësohet se shumë të tjerë i dhanë para atij, edhe pas zbulimit të mashtrimit vetëm që të mos i përmend para organeve të drejtësisë.

Mehmeti, si agjent i shitjes, besohet se vuri në lajthitje shumë persona duke u marrë para për t’i bërë aksionarë në një firmë cigaresh, e i njëjti kishte krijuar besim të madh tek ta, raporton Klan Kosova.

Lexo po ashtu Dyshohet se përfitoi dy milionë euro duke mashtruar qytetarët, arrestohet i dyshuari në Mitrovicë

Dëmi financiar veç i një familje u trash deri në gjysmë milioni.

Dallavere e qindra mijëra euro dëm bëri edhe me cigareshitësit në Vushtrri e Mitrovicë. Rreth 700 mijë euro ia morri B.S për çka i njëjti rastin e denoncoi në polici.

Të dy viktimat kërkojnë kompensim të dëmit nga i dyshuari që të enjten iu caktua një muaj paraburgim.

Familja e tij në rrugën e Gojbulës në Vushtrri nuk qenë të qasshëm pasditen e së enjtes.