Telegrafi

Mashtrohen edhe pensionistët

Tre muaj më pas, pensionet as nuk u janë rritur e as nuk është ndarë kurrfarë shtese retroaktive.“Nuk po e kuptoj çka po ndodh. Ai ka qenë një deklarim publik se do të rriten pensionet nga Ministria e Financave dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani. Nuk e di se deri ku do të shkojë kjo papërgjegjshmëri institucionale ndaj shtresave më të varfra”, thotë ai.

Ministria e Financave në fakt më 21 janar 2011 kishte lëshuar një komunikatë për medie, ku thuhet se pensionet do të rriten.

Në këtë komunikatë, e cila ende mund të gjendet në ueb-faqen zyrtare të MF-së, më tej thuhet se duke filluar nga muaji janar 2011 pensionistët do t’i marrin në mënyrë retroaktive pensionet.

“Kjo rritje është bërë me qëllim të avancimit të pozitës materiale për këtë kategori. Gjatë vitit 2010 është punuar intensivisht në avancimin e ligjit dhe rregullimin e statusit të pensionistëve, që njëherazi përcakton edhe përfitimet për këtë kategori. Kostoja e këtij ligji është pjesë e planifikimeve buxhetore për vitin 2011 dhe do të fillojë së zbatuari nga 1 janari i vitit 2011, kosto kjo e përfshirë në marrëveshjen e nënshkruar me FMN-në në qershor të vitit 2010”, thuhej ndër të tjera në këtë komunikatë.

Ali Shabani, pensionist, thotë se me më shumë se 30 vjet punë, tashmë i merr vetëm 80 euro pension, me të cilat mjete e ka shumë vështirë t’i sigurojë edhe barnat e nevojshme.
“Këto mjete nuk më mjaftojnë as për barna. Unë e kam lënë shëndetin duke punuar në punë të vështira, ndërsa me këtë pension nuk mund t’i blej as barnat”, shprehet Shabani.

Sipas tij, derisa pensionet nuk kanë lëvizur, çmimet e artikujve të ndryshëm janë ngritur shumë dhe me 80 euro të pensionit është e pamundur të jetohet gjysmë muaji. “Me këto para nuk mund ta kalojmë as gjysmën e muajit”, thotë ai.

Fatmir Fehmiu, kryetar i sindikatave të pavarura të pensionistëve dhe të invalidëve të punës, thotë se çështja e pensionistëve është një shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut në sferën sociale dhe ekonomike. Sipas Fehmiut, nëse nuk realizohen kërkesat për rritje të pensioneve, ai paralajmëron se do të organizojnë protesta dhe do t’i drejtohen gjykatës kompetente. /Zëri/Telegrafi/