Site icon Telegrafi

Mashtrimi me fatura fiktive: Skema e vjedhjes së 2.8 milionë eurove në emër të rimbursimit nga TVSH

Muaj më parë në zyrat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) kishte aplikuar një person për t’u rimbursuar nga TVSH-ja ndërsa kishte prezantuar 23 fatura, vlera e të cilave ishte 18 milionë euro. 

Një biznesmen nga Prizreni nuk e kishte për herë të parë aplikimin për t’u rimbursuar nga TVSH në ATK pasi që edhe në vitin 2019 kishte qenë përfitues i kësaj skeme.

Kjo pasi që Administrata Tatimore e Kosovës e parasheh që biznese të ndryshme mund të aplikojnë për të qenë përfitues të rimbursimeve dhe lirimeve nga TVSH.

F.P., biznesmeni nga Prizreni kishte aplikuar në ATK për rumbursim ndërsa si arsyetim mori ndërtimin e një hoteli në afërsi të Vërmicës.

Biznesmeni përmes një skeme tentoi që të kompensohej nga shteti në vlerë prej 2.8 milionë eurove duke përdorur disa fatura të cilat ishin fiktive.

Shuma e rimbursimit do të llogaritej nga një shumë tjetër e përgjithshme që konsiderohej se ishte shpenzuar për të kryer ndërtime, e vlera e të cilave ishte hiç më pak se 18 milionë euro.

Kjo skemë dyshohet se u përdor për të përfituar jashtëligjshëm nga shteti në emër të rimbursimit nga TVSH, metodë kjo e cila u përdor disa herë nga biznese të ndryshme e që u raportuan vazhdimisht edhe nga KALLXO.com.

Dosja e prokurorisë zbardh faktin se i njëjti biznesmen në vitin 2019 ishte përfitues i 450 mijë eurove për të cilat kishte aplikuar në ATK për të njëjtin hotel.

Si u zhvillua skenari për tentimin e ‘zhvatjes’ së 2.8 milionë eurove në emër të hotelit?

Kur në Drejtorinë e hetimeve dhe Inteligjencës brenda Administratës Tatimore të Kosovës kishte shkuar për trajtim një aplikim për rimbursim nga një biznesmen, të njëjtit kishin ngritur alarmin se rasti nuk duhej të procedohej.

Një raport se faturat e prezantuara në vlerë të 18 milionë eurove ishin fiktive dhe rrjedhnin nga një biznes që kishte bazën në Podujevë, që nuk kishte as qarkullim financar e as punëtorë të regjistruar dyshohet se ishte injoruar nga ana e disa zyrtarëve tatimorë.

Pavarësisht alarmit që kishte ngritur departamenti i inteligjencës brenda ATK-së, aplikimi me fatura fiktive e biznesmenit nga Prizreni kishte vazhduar deri te vendimi se mjetet duhej te rimburësoheshin detyrimisht me anë të përmbaruesit.

Lexo po ashtu Arrestimi i 12 zyrtarëve të ATK-së, Murtezaj: Arritëm ta parandalojmë dëmtimin e buxhetit në vlerë prej 2.7 milionë euro

Një hetim disa javorë i Prokurorisë Themelore të Prishtinës përfundoi me 13 të arrestuar e një person ende është në kërkim.

12 zyrtarë tatimorë e një biznesmen u ndaluan për 48 orë nën dyshimin se kishin kryer veprat penale të mashtrimit në detyrë, shmangie nga tatimi si dhe prezantim i rrejshëm i dokumenteve tatimore.

Zyrtarët e Administratës Tatimore të Kosovës, M.Z., N.B., S.T., A.J., M.R., M.Z., M.B., G.Gj., A.P., V.K., A.R., Xh.H., dyshohet se kishin neglizhuar dhe kishin vazhduar që të procedojnë aplikimin e një biznesmeni për rimburësim edhe duke pasur parasysh se të njëjtit kishin pranuar një dokument që faturat e prezantuara ishin fiktive.

Këto janë të paktën dyshimet që ka ngritur prokuroria duke thënë se kanë prova materiale të cilat vërtetojnë veprimet e kundërligjshme të zyrtarëve tatimorë.

Prokurori i rastit, Bekim Kodraliu, shpjegon se cilat ishin detyrat që ishin ndarë për t’u kryer të martën e 9 janarit 2024.

Ky rast është rasti më i madh që u regjistrua në fillim të këtij viti. Deri sa kishte pranuar tashmë urdhëresën nga gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës, prokurori Kodraliu u nis për në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.

Aty u takua me udhëheqësin e ekipit hetimor dhe hetuesit të cilët nisën disa bastisje e kontrolle e më pas edhe kontrolle edhe arrestime.

“Ne sot në koordinim edhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë jemi duke zbatuar një urdhëresë të gjykatës për bastisje të disa lokacioneve në Kosovë, tash për tash jemi duke shkuar në Policinë e Kosovës për të ndërmarrë veprimet e mëtutjeshme”, tregon prokurori Kodraliu.

Lexo po ashtu Çfarë dihet për rastin e faturave fiktive në ATK?

Përgjatë rrugës ai tregoi për ekipin se cilat janë dyshimet që kishte ngritur për rastin dhe kush do të bastisej.

“Bastisjet do të ndodhin në Prizren, Podujevë respektivisht në disa biznese të cilat kanë lëshuar fatura fiktive që kapin një vlerë marramendëse e të cilat fatura janë legjitimuar nga disa zyrtarë të ATK-së dhe në bazë të atyre legjitimimeve dhe nxjerrjes së raporteve për lejimin e rimburësimit zyrtarët e ATK-së kanë lejuar që të pandehurit nga Prizreni, pronar i dy bizneseve t’i lejohet e drejta për rimburësimin e TVSH së zbritshme që kap vlerën e rreth 3 milionë eurove”, shton tutje Kodraliu.

Një aplikim të tillë prokurori Kodraliu tregon se i dyshuari kryesor në këtë rast, biznesmeni nga Prizreni e kishte aplikuar edhe në vitin 2019, për të njëjtin hotel.

Zyrtarët e ATK-së edhe në vitin 2019 i kishin rimbursuar sipas dosjes së prokurorit Kodraliu, 450 mijë euro biznesmenit për të njëjtin hotel.

Hetimet që mori përsipër prokurori Kodraliu përfunduan me arrestimin e 13 personave ndërsa një biznesmen të dyshuar ai e shpalli në kërkim si dhe e vendosi në stoplistë.

Në raste të tilla kur një person vendoset në “stop-listës” ai do të arrestohet në momentin e parë që haset nga organet e rendit.

“Pas hetimeve kemi vërtetuar dyshimin e bazuar që zyrtarët e ATK-së kanë ndërmarrë veprime inkriminuese të cilat i përmenda e me të cilat veprime buxheti i Kosovës mund të dëmtohet në shumë prej 2.8 milionë eurove”, shton prokurori.

Lexo po ashtu Mashtruan me fatura fiktive në vlerë prej 18 milionë euro, arrestohen 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi

Një nga arsyet që shtyu prokurorit të ndërmerrte hapa emergjentë ishte edhe ajo se transaksioni për rimbursim nuk kishte përfunduar, ani pse rasti kishte shkuar te përmbaruesi.

“Kjo është edhe arsyeja se pse rastin e kemi trajtuar me prioritet për të mos lejuar trasnferimin e shumës në xhirollogarinë e të pandehurit pronarit të biznesit për të cilin sot do të kryejmë edhe bastisje”- tregon ai.

Prokurori tregon se biznesi ka arritur që të nxjerrë edhe vendimin nga përmbaruesi privat për rimbursim të detyrueshëm.

“I njëjti ka arritur që të nxjerr edhe urdhrin nga përmbaruesi privat për ekzekutimin me detyrim të kësaj shume por ne do të mundohemi me të gjitha mjetet juridike që i kemi në dispozicion të zhvillojmë këtë urdhëresë, shpjegon Kodraliu.

Operacioni nisi pas orës 10 të mëngjesit të 9 janarit 2024, fillimisht u mbajt takimi me ekipin hetues e më pas u ndanë detyrat se cili ekip ku do të shkojë, çka do të ndërmarrë dhe cilat arrestime do të kryhen.

“Shkurt e shqip janë në pyetje 2.8 milionë euro që ne duhet t’i shpëtojmë”, iu drejtua Prokurori Kodraliu ekipit të hetuesve për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Nga stacioni i Krimeve Ekonomike një nga ekipet niset drejt zyrave të Administratës Tatimore të Kosovës.

Përgjatë rrugës nga Drejtoria Qendrore e Policisë e deri te ATK, prokurori Kodraliu përmes telefonit njoftoi edhe drejtorin e Administratës Tatimore se po zhvillonte një aksion e që shumë zyrtarë të tij do të shoqëroheshin në polici.

Në ATK u kërkuan 12 zyrtarë të cilët më pas u shoqëruan për intervistim nën dyshimin për kryerje të veprës penale mashtrim në detyrë.

Disa nga zyrtarët tatimorë nuk u gjetën në zyra, ata u udhëzuan përmes ftesave që të paraqiteshin në polici ndërsa pati edhe të tjerë që iu kumtua lajmi se kishin nisur hetimet ndaj tyre dhe se të njëjtit ishin të dyshuar.

Pasi përfundoi edhe shoqërimi i atyre që u gjetën në vendet e punës në ATK, një ekip tjetër i policisë ishte nisur drejt Podujevës e një tjetër drejt Prizrenit.

Në Podujevë u kërkua biznesmeni B.B., i cili dyshohet se lëshoi faturat fiktive nga biznesi në të cilin nuk kishte qarkullim financiar e as punëtorë të regjistruar.

Ai nuk u gjet në shtëpi e as në biznesin e tij. Me të marrë informacionin prokurori, kërkoi menjëherë që të njëjtin ta vendosin në sistemin e personave të kërkuar ndërsa për të shkuar më tutje atij iu la edhe një ftesë për paraqitje në polici.

Meqenëse prokurori Kodraliu tha se provat i posedonte sepse kishte materialin e aplikimit në ATK nga ana e biznesmenit, tutje bashkë me hetues prokurori shkoi edhe në hotelin që ishte objekti që u përdor nga të dyshuarit.

Hoteli i cili gjendej në Vërmicë, në pamje të parë ishte mjaftueshëm objekt i lartë e i gjerë ndërsa ofronte shërbime me pesë yje.

Përveç ambientit të brendshëm e ofrimit të dhomave e shërbimeve të tjera si ushqim e akomodim, mysafirët që shkonin aty mund të përdornin edhe ambientet e jashtme të hotelit që kishte edhe disa pishina.

Hoteli konsiderohej se gjendet rreth 19 kilometra nga qendra e Prizrenit.

Në këtë hotel në orët e paraditës kishin arritur ekipet policore. Të mbështetur nga Njësia e Reagimit të Shpejtë, hetuesit e krimeve ekonomike e gjetën edhe pronarin aty e që ky i fundit më pas kishte njoftuar edhe avokatët.

Të njëjtit gjendeshin aty kur arriti prokurori. Ky i fundit i tregoi dyshimet që ka ngritur ndaj biznesmenit dhe i tha se tashmë procedurat ndaj tij do të vazhdonin tutje dhe se u kërkua ndalimi i tij për 48 orë.

Dosja parasheh se pronari i hotelit në Vërmicë për të njëjtin hotel ishte rimburësuar në vlerë prej 450 mijë eurove në vitin 2019 ndërsa rimbursimin për të njëjtin hotel e kishte kërkuar sërish e tash në vlerë tjetër atë prej 2.8 milionë eurove.

Pas hotelit, ekipet policore vazhduan edhe në shtëpinë e biznesmenit për të kryer bastisje dhe për të kontrolluar nëse arrijnë të gjejnë edhe prova të tjera materiale.

Por kur hetuesit nisën kontrollin në shtëpi aty u gjetën edhe materiale të tjera. Disa armë të gjata e të shkurta u sekuestruan nga shtëpia e biznesmenit, një telefon e materiale të tjera tashmë janë bërë pjesë e dosjes hetimore.

Pas kontrollit, hetuesit sollën në stacion për intervistim biznesmenin e dyshuar i cili konsiderohej personi kyç në rast.

13 të arrestuarit në mbrëmjen e 9 janarit u dlrguan në ndalim për 48 orë ndërsa prokurori Kodraliu kërkoi edhe paraburgimin e tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë nuk aprovoi këtë kërkesë të prokurorit për paraburgim.

Rasti po vazhdon të hetohet edhe më tutje ndërsa deri më tani zyrtarisht nuk ka ndonjë informacion nëse biznesmeni nga Podujeva që dyshohet se i dha faturat fiktive biznesmenit nga Prizreni është lokalizuar apo arrestuar. /Kallxo.com/

Exit mobile version