Site icon Telegrafi

Mashtrim, paraqitje skenike e ‘Bentley’ – Loredana Zefi, Fjolla Morina dhe Morena Taraku yjet më të përfolura të vitit

Viti 2019 ka qenë një vit i mbushur me përplot lajme në skenën e showbizit vendor, dhe sigurisht që ndarjet, martesat, e sjellja në jetë e fëmijëve të çifteve të famshme, dominuan kryetitujt e mediave rozë dhe jo vetëm.

Megjithatë, ky vit nuk u përmbyll edhe aq mirë për disa këngëtarë që bënë bujë në rrjetet sociale në sajë të të bëmave të tyre, duke u shndërruar kështu në personazhet më të përfolura të këtij viti.

Fillimisht do të ndalemi tek ajo që konsiderohet si një nga skandalet më të mëdha të vitit 2019, pikërisht në datën 8 maj, kur reperja nga Ferizaj, Loredana Zefi, ishte arrestuar në Zvicër.

Më pas, për këngëtaren Fjolla Morina, e cila u komentua mjaft shumë për paraqitjen e saj të tejet të ekspozuar në koncertin e mbajtur në sheshin “Adem Jashari”, në Skënderaj.

Dhe krejt në fund, për këngëtaren dhe modelen e njohur nga Peja, që po ashtu u përfol në media për një skandal të mundshëm doganor me veturën e saj luksoze, ‘Bentley’.

Loredana Zefi

Znj.Petra (Foto: 20 minuten)

8 maji i këtij viti nuk ishte edhe aq i mirë për rap – artisten e njohur shqiptare, Loredana Zefi.

Ajo këtë ditë u arrestua në Zvicër, pasi ishte kërkuar nga një zvicerane për të deklaruar rreth një akuze të rëndë, dhe ky lajm për disa muaj pushtoi gazetat zvicerane e po ashtu edhe ato shqiptare.

Aludimet e një çifti për vjedhje nga artistja me prejardhje nga Ferizaj në bashkëpunim me familjarët e saj ishin detajet e kësaj historie.

Si nisi e gjitha?

Gazeta e njohur zvicerane “20 minuten”, raportoi e para se një çift zviceran kishte akuzuar atë dhe vëllanë e saj, Beratin për vënie në lajthitje, kërcënim dhe zhvatje të parave deri në 900 mijë franga zvicerane.

Një kupon fiskal për transaksionet e kryera në Kosovë ishte dëshmi se paratë po deponoheshin në llogarinë e Loredana Zefit.

“Kisha frikë nga ajo. Nuk e di se çfarë është në gjendje të bëjë ajo grua. Na thoshte vazhdimisht t’i shlyejmë bisedat në rrjete sociale dhe na kërcënonin se nëse s’i ndiqnim instruksionet e tyre, s’do t’i merrnim paratë kurrë”, kishte rrëfyer e dëmtuara Petra Z. për “20 minuten”.

Ajo më pas kishte vënë në pah një tjetër akuzë të rëndë, duke potencuar se të kërkuar nga artistja, çifti duhej të merrnin me qira vetura të shtrenjta, të tilla që as qeveritarët e lartë të Zvicrës nuk i vozitnin.

Sipas tyre, Loredana i merrte veturat dhe nuk i kthente kurrë në kohë, derisa njërën prej tyre Policia Zvicerane kishte gjetur njëherë në aeroportin e Cyrihut, dhe më pas të njëjtën ia kishte kthyer kompanisë qiradhënëse të njohur si AVIS.

Përkundër faktit që Loredana ka mohuar të ketë vozitur veturat BMW dhe Porsche, mirëpo një nga fotografitë e radarit policor në Zvicër ka kapur momentin kur pikërisht 24-vjeçarja kapet duke vozitur një veturë të tillë.

Reagimet

Kur u bë publike kjo ‘aferw’, Loredana dhe tashmë ish-partneri i saj, Mozzik, bllokuan të gjitha llogaritë në rrjetet sociale, duke mos reaguar fare.

Në anën tjetër, ishte reperi Getinjo (vëllai i Mozzikut), ai i cili përmes një statusi në InstaStory kishet shkruar se e gjithë kjo ngjarje është e sajuar për të prishur integritetin e tyre.

“Ju dushmanët keni qef me ndodh qashtu qysh flitet, ama ngadalë mos i jepni zor se mundeni me u dh*. S’keni faj se asi shifra keni parë veç në kalkulatorë e askund tjetër. Gjithmonë të fortin e sulmojnë”, kishte shkruar Getinjo në InstaStory.

Getinjo (Foto: InstaStory)

Ndërkohë, i kontaktuar nga Telegrafi, vëllai i Loredanës i përmendur gjithashtu në këtë ngjarje, kishte mohuar tërësisht këto akuza.

“Jo, nuk ka asgjë të vërtetë, të gjitha janë manipulime dhe budallallëqe, këto akuza ndaj meje dhe motrës sime nuk qëndrojnë”, ishte prononcuar Bekim Zefi për Telegrafin.

Një deklaratë të tillë dhe edhe më demantuese e kishte thënë edhe vëlla i madh i Loredanës, Arsim Zefi, emri i së cilit në disa media ishte konvertuar në Agon për ruajtjen e integritetin.

“E gjithë kjo ngjarje është manipulim. Kanë keqpërdorur edhe emrin e gruas time, e cila punon prej një kohe të gjatë për ambasadat, dhe nuk ka të bëjë me këtë rast. Imazhi jonë është dëmtuar dhe mendoj se e gjitha kjo ka qenë e qëllimshme”, kishte deklaruar Arsim Zefi ekskluzivisht për Telegrafin.

I njëjti i cili në disa media ishte përmendur si marrës i parave të Loredanës me qëllim rimëkëmbjen e biznesit të tij që kinse po falimentonte, kishte treguar një thashethem i tillë ishte komplet absurd.

“Janë munduar të më njollosin edhe biznesin, duke përfolur se një pjesë e plaçkitjes kinse më ishte dhuruar mua për të shpëtuar nga falimentimi, por e vërteta është se unë kurrë nuk kam qenë në falimentim. Merrem prej shumë vitesh me biznes në Zvicër dhe gjithçka më ka shkuar mirë. Më ka goditur vetëm prishja e reputacionit tim”, kishte treguar më tej Zefi për Telegrafin.

Një reagim lidhur me këtë ngjarje po ashtu e bëri edhe menaxheri i labelit “ON Records”, Met Elshani – label ky në të cilin dikur bënin pjesë Mozzik dhe Getinjo.
“Jo thosha nuk më besonit, që këta njerëz marre janë, horë ta bëjnë një komb”, kanë qenë fjalët e tij.

Met Elshani (Foto: Instagram)

Akuzë nga ish-shoqja e ngushtë

Kjo ngjarje nxori edhe një tjetër histori në pah – një akuzë e rëndë nga një e ish-shoqeve të Loredanës, e cila përmes Instagramit deklaroi se edhe ajo ishte mashtruar gjithashtu nga artistja nga Ferizaji.

“Loredana dhe vëllai i saj Qëndrimi më kanë mashtruar”, ka deklaruar 23 vjecarja për mediumin zviceran. “Askush s’e njeh Loredanën e vërtetë, ka thënë ajo”, kishte thënë Dorentina V. – dikur mikeshë e ngushtë e saj.

“Loredana më detyrohej edhe 300 euro sepse më kishte premtuar që do të paguante për biletën time të aeroplanit si fotografe personale”, por në fakt nuk e kishte bërë kurrë.

Konferencë për media

Loredana Zefi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Të premten më 10 maj, Loredana Zefi bashkë me Mozzik dhe avokatët e saj mbajtën një konferencë në “Hotel Emerald” në Prishtinë.

Avokati Tomë Gashi ishte i përzgjedhur i Loredanës për tu marrë mbi rastin, gjersa në Zvicër ajo ka angazhuar Artan Sadikun, i cili gjithashtu ishte prezent në konferencë.

Biondja e nisi rrëfimin e saj duke treguar se arsyeja e vërtetë e ardhjes në Kosovë ishte fillimisht xhirimet për klipin e ri, që do ta publikojë së shpejti.

“Për fillim deshta të them që në Kosovë kam ardhur për të xhiruar klipin e ri, pas përfundimit të videoklipit do kthehem prapë në shtëpinë time në Zvicër më bashkëshortin dhe vajzën time, Hanën”, tha ajo.

Ajo shtoi se ngjarja kishte nisur në vitin 2016, teksa tani ka marrë kahje krejt tjetër në dëm të sajin.

“Kjo gjë ka filluar në 2016, ku unë nuk kam qenë e involvuar, dhe nuk kam ditur asgjë për këtë rast. Në 2018, disa anëtarë të familjes Zefi kanë qenë në këtë punë brenda, dhe më kanë treguar që në 2018 është mundësia me e mbyllë këtë rast. Unë nuk e di çfarë kanë bërë këta persona mes vete, pse nuk është mbyllur ky rast, por në 2018 kur unë e kam marrë vesh këtë rast, kam qenë në gjendje t’u ndihmojë, dhe palës time. Familja ime është mbi të gjitha, se nuk më intereson asgjë kur është pyetja për familjen time. Do jem me ta në kohë të mira dhe të vështira. Rasti do të sqarohet, dhe fjalët do të ndryshojnë”, ka thënë Loredana Zefi.

“Është e vërtetë që kamë dhënë deklaratë në polici, por unë e mbyllur nuk kam qenë asnjëherë. Kam dhënë deklaratën, dhe prokurori më ka lejuar të shkojë në shtëpi tek vajza ime, për ta vazhduar jetën ashtu siç kam bërë një ditë më parë. Arsyeja pse unë kam ardhur këto ka qenë se paratë nuk janë marrë me dhunë, mashtrime, kërcënime, dhe pala tjetër e ka pranuar dhe e ka bërë me plotë dëshirën e saj”, ka vazhduar ajo më tej.

Loredana Zefi dhe Mozzik (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Ndërkohë, Mozzik i cili përgjatë gjithë kohës i qëndroi pranë partneres së tij, deklaroi se gjithashtu i vjen keq për situatën e krijuar dhe që ka marrë një jehonë të tillë.

“Loredanën e kam grua dhe çka do që ndodhë unë jam bashkëshorti i saj. Jam në përkrahje të saj, gjithashtu i ka dhe avokatët, dhe çdo gjë do të sqarohet. Është tepruar nga mediat, pa e ditur se çfarë ka ndodhur”, ka thënë reperi nga Ferizaji, duke e përmbylli bisedën e tij me një urim për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Përgjatë gjithë kohës që dyshja kanë folur, edhe avokati Tomë Gashi ka mbështetur vazhdimisht Loredanën, duke potencuar se ajo është e pastër dhe se e vërteta pritet të dalë së shpejti në shesh.

“Rasti po trajtohet si rast civil, Loredana është tërësisht e pastër, ndërsa sa i përket imazhit mund të themi se nëse shqiptarët fliten për gjëra të tilla, atëherë normal që do të krijohet imazh i keq. Mirëpo ky nuk është rasti i Loredanës. Publicitet të dëmshëm nuk ka, ndaj unë mendoj se Loredanës vetëm sa i është rritur publicitetit”, ka thënë ndër të tjerash avokati Tomë Gashi.

Në një moment në bisedë e sipër, Loredana u ngrit në këmbë e acaruar gjersa përgjigjej në një prej pyetjeve të gazetarit.

Ajo foli gjerë e gjatë duke treguar se në Gjermani mediat kanë treguar respekt për të duke e cilësuar si një yll, ndryshe nga ato zvicerane të cilat kanë shfrytëzuar rastin për t’i prishur imazhin, mirëpo edhe para kësaj ndodhie janë marrë vetëm me jetën e saj personale.

Me të mbyllur konferencën për media në Prishtinë, rap-artistja Loredana Zefi u nis për të bërë atë edhe çfarë kishte paralajmëruar – xhirimet e klipit të ri.

Të tjera histori rreth Loredanës

Pas konferencës dhe disa ditë qëndrimi në Kosovë, Loredana ishte kthyer sërish në Zvicër dhe këtë e bëri të ditur përmes dy imazheve të hedhura në InstaStory.

Për rastin e Loredanës, në Zvicër e kishin pyetur edhe ish-Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili tha: “Gjatë qëndrimit në Cyrih të Zvicrës, dhashë dy intervista për mediume, për gazetën prestigjioze NZZ Neue Zürcher Zeitung dhe TV Nau. Nga kjo e fundit, kisha një pyetje për Loredanen dhe nëse rasti i saj dëmton imazhin e Kosovës përballë Zvicrës”.
Gjithashtu, edhe reperi Ledri Vula ishte pyetur nga “20 minuten” lidhur me akuzat me të cilat u përball Loredana.

“Kam dëgjuar për këto lajme kanë bërë bujë edhe tek ne, askush nuk gëzohet për lajme të tilla. Është shumë artiste e talentuar dhe shumë e mirë, ky lajm nuk na prezanton neve si popull”, ka thënë Vula për reperen.

Atë kohë, Gjykata e Kantonit të Luzernit ka treguar se zyra e Prokurorit Publik ia ka bllokuar të gjitha llogaritë bankare reperes Loredana. Gjykata ka marrë këtë vendim nën arsyen se prejardhja e të ardhurave të saj është e dyshimtë.

Kundrejt këtij vendimi ka dalë vet artistja, e cila ka kundërshtuar mos-lejimin e çasjes në xhirollogaritë e saj, duke bërë kërkesë që një vendim i tillë të mos zbatohet.

Megjithatë, autoritetet kanë hedhur poshtë kërkesën e saj duke thënë se ajo nuk do të ketë të drejtë të kyçet në xhirollogari, dhe me gjasë nuk do të ketë para as për të paguar avokatin e saj.
Ndonëse vazhduan luksin, Mozzik dhe Loredana pak muaj pas skandalit blenë edhe një veturë tjetër luksoze, për të cilën kishte reaguar z.Petra.

Ajo iu referua kërkesës së Loredanës për avokat shtetëror si shenjë mungese parash.

“Nuk ka para për shpenzime ligjore, por mesa duket paska sa të duash për një Mercedes Benz të ri. Tani ata kanë tri vetura, ndërsa ne jetojmë në varfëri. Kjo gjë po më shkatërron”, u shpreh ajo.

Me historinë e saj të mashtrimit, Loredana akoma po vazhdon të jetë në fokus të mediave rozë megjithëse tashmë po qëndron në një periudhë më të qetë, edhe pas ndarjes nga partneri i saj, Mozzik.

Loredana Zefi (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Fjolla Morina

Edhe pse nuk është shumë aktive në mbrëmje e koncerte muzikore, një të tillë Fjolla Morina e mbajti këtë vit më 25 korrik në Skënderaj, i cili bëri bujë të madhe gjithandej.

E njëjta u komentua tejet shumë për paraqitjen e saj të ekzagjeruar në koncertin e mbajtur në sheshin “Adem Jashari”, në Skënderaj, për faktin se në koncert kishte edhe të mitur.

Kështu, personalitete të shumta kritikuan këtë zhveshje të saj, ndërsa vet këngëtarja reagoi përmes një shkrimi në Instagram, duke thënë se nuk e sheh diçka të ekzagjeruar, referuar faktit që edhe Rita Ora kishte një veshje mjaft provokuese në koncertin e 10 vjetorit të Pavarësisë, të mbajtur më 17 shkurt 2018.

“Sot jam zgjuar me disa tituj portalesh të tmerrshme që i referoheshin dukjes dhe performancës time në Skenderaj. Me pak fjalë historia ime është kjo: Fjolla Morina është një këngëtare performuese e një zhanri të caktuar muzike. Ka një stil të sajin dhe nuk e dëmton askënd që zgjedh të performojë në një qytet me një veshje të cilën nuk e ka për herë të parë. Kam performuar dhe kënduar siç bëjnë të gjthë këngëtaret e zhanrit tim. Për mua të gjitha skenat janë njësoj. Ata që kishin ardhur në shesh ishin aty për të parë e dëgjuar Fjollën që shohin në TV jo Fjollën që e doni ju. Po e theksoj edhe një herë se isha mbrëmë në Skenderaj e ftuar si artiste për të performuar jo për të dhënë intervistë. Por, nuk më çudit fakti që kaq shumë ju ka bërë përshtypja veshja ime si e Rita orës kur performoj në Prishtinë. Ju keni problem me çdo këngëtare që performon me një trupore. Tani ju ça bëni? Merrni “gurë” dhe qëlloni. Po ju them dhe të fundit: Sa për patriote un jam 1000 here më shumë se disa që hiçen si të tillë”, shkruan mes të tjerash Fjolla.

Reagimet

Në ndërkohë, lidhur me këtë temë reagoi edhe i pari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.

“Për herë të parë po ndodhë manifestimi “60 ditë – 60 aktivitete”, për diasporën, dhe disa prej ngjarjeve të organizuara deri më tani kanë qenë: sofra tradicionale (dy të tilla; në Skenderaj dhe Runik), panairi i veshjeve tradicionale, mini-kuizi, vizitë monumenteve tradicionale dhe të tjera aktivitete që do të zhvillohen ditë në vazhdim. Ideja dhe i gjithë organizimi i aktiviteteve është i Qendrës Rinore Publike, me mbështetje të biznesve lokale, dhe i përkrahur nga unë si kryetar i Komunës. Sa i përket paraqitjes skenike të Fjolla Morinës, mbrëmë, është përgjegjësi e këngëtarëve dhe më vjen mirë nga ju media që nëpërmjet kësaj këngëtareje (mbase ka dashur ta imitojë Rita Orën, e që këtë mund ta vlerësojë publiku), t’u zgjohet kureshtja dhe të shkruani e të raportoni për aktivitetet që po ndodhin në Skenderaj. Shpresoj të keni interesim edhe për organizimet tjera në vazhdim.Sa i takon mbrëmjes së sotme, në Sheshin tonë “Adem Jashari”, do të këndojë Leotrim Gashi. Se si do të paraqitet ai para publikut, është përgjegjësi e tij. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar Jashari në Facebook.

Ka qenë edhe ish- deputeti Miliam Zeka ai i cili ka bërë një postim në Facebook, lidhur me veshjen e këngëtares para shumë fëmijëve.

“Sa shume ka “arritur” Drenica? Disa namuzeli, që 1000 të zeza i kanë bërë dhe i bëjnë, me kanë kritikuar se gjoja unë përdori fjalor banal. Shiheni ketë foto nga koncerti në Skenderaj, edhe hajde me thoni se a ke çare pa …E kush e ka organizu këtë koncert edhe kush i ka ftu?”, ka shkruar Zeka.

Në anën tjetër, për performancën e saj në Skënderaj, i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, i doli në mbrojtje artistes.

“Këngëtarëve nuk u tregojmë çka me vesh, ata e kanë stilin e vetë. Edhe ajo që u bë bujë në Skenderaj ishte e padrejtë, e njejta ka ndodhur me Rita Orën në koncert në Prishtinë, kush nuk e tha asnjë fjalë. Por, dikujt i dhimti kryt pse u bë në Skënderaj. Drenasi është më mirë në këtë drejtim. Sa i përket fëmijëve, prindërit duhet me u kujdes”, tha Lladrovci.

Një reagim tjetër erdhi edhe nga ish-deputeti i PDK-së, Andin Hoti, i cili gjithë këtë paraqitje të Fjollës e ka komentuar vetëm me një përshkrim, “Bac falna”.

Përveç këtij koncerti, viti 2019 për këngëtaren Morina ishte më pasiv meqë ishte më pak e angazhuar në muzikë.

Morena Taraku

Morena Taraku (Foto: Instagram)

Këngëtarja dhe modelja nga Peja, Morena Taraku, tashmë është e njohur për veturat, shtëpitë e veshjet e shtrenjta që i ka në dispozicion.

Dhe këtë vit, e njëjta ka qenë mjaft e përfolur në shtypin rozë pasi tentoi të fuste në Kosovë një makinë superlukzove të tipit ‘Bentley’, që siç u raportua kushton hiç më pak se 200 mijë euro.

Kësaj përpjekje të 26 vjeçares i ka rënë në fije Dogana e Kosovës, duke e zbuluar se ka tentuar t’ ikën tarifës doganore prej pesë mijë eurosh duke e deklaruar veturën si të re, e në fakt vetura ishte e përdorur.

Vetura sipas dokumentacionit është e regjistruar në një datë më të hershme dhe nuk është e re ashtu siç është deklaruar nga pronarja.

Për këtë ngjarje, Prokuroria Themelore në Prishtinë në një komunikatë për media ka sqaruar tentimin për zhdoganim e ‘Bentleyt’ të Morenës, e gjithashtu edhe për ata që kanë nxjerrë në publik dokumentet e lëshuara nga Prokuroria për rastin e hetimit të veturës së Tarakut.

Sipas kësaj komunikate, rasti i Morenës nuk është mbyllur më datën 15 tetor, kur është bërë kërkesa nga Dogana në lidhje me zhdoganimin e veturës.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit, ndjehet e obliguar të sqarojë se, më 15.10.2019, kjo prokurori ka pranuar nga Njësia e Hetimeve të Doganës së Kosovës një Raport Njoftues, lidhur me zhdoganimin e veturës së markës “Bentley”, si dhe është kërkuar nga kjo prokurori ta lëshoj një vendim, i cili do ta identifikoj veturën si të re apo të përdorur në procedurën e zhdoganimit të saj”, thuhet në komunikatë.

E në ditët në vijim është raportuar se është marrë vendimi nga Prokuroria që rasti të mbyllet dhe që vetura me vlerë prej 200 mijë euro të njihet si e re.

“Prandaj, nuk qëndron ajo që është shkruar në media, se rasti është i mbyllur në Prokurori, për faktin se në të njëjtën ditë, më 15.10.2019, prokurori i çështjes, ka lëshuar autorizim për ndërmarrjen e veprimeve paraprake hetimore. Dokumenti në fjalë-autorizimi, është dokument zyrtar, i cili i është dhënë hetuesve doganor, në bazë të të cilit të njëjtit kanë qenë të obliguar të ndërmarrin veprime hetimore për të zbardhur të vërtetën që ka të bëjë me zhdoganimin e veturës së markës “Bently”, që është përmendur në Raportin Informues. Ky dokument në asnjë mënyrë nuk ka guxuar të publikohet”, sqarohet në komunikatë.

Më pas, Prokuroria vendosi të fillojë edhe hetimet për sinjalizuesit që kanë nxjerrë në publik këtë dokument.

“Sa i përket sinjalizuesve, Prokurori i Shtetit, respekton, mbron dhe zbaton Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, por në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me sinjalizuesit, siç është shkruar në media, për shkak se bazuar në nenin 10 paragrafi 1, nën paragrafi 1.3, të këtij ligji, sinjalizuesi nuk gëzon mbrojtje juridike nëse ka ose mund të ketë dijeni se informacioni i shpalosur është i rremë. Andaj, informatat e publikuara në media, nuk përputhen me gjendjen faktike dhe juridike në rastin konkret”, thotë Prokuroria.

E njëjta veturë muaj më vonë u sekuestrua nga Policia e Kosovës, teksa lajmin për Telegrafin e konfirmoi Baki Kelani, nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës.

“Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria kundër Krimit të organizuar sot gjatë ditës ka konfiskuar një automjet të tipit ‘Bentley’ me targa gjermane, e cila ka qenë në kërkim ndërkombëtar. Kjo veturë e konfiskuar nga Policia e Kosovës është në procedurë të verifikimit”, thuhet në deklaratë.

Në anën tjetër, këngëtarja Taraku nuk reagoi fare rreth kësaj çështje, ndërsa i vetmi prononcim i saj ishte pak ditë më parë në rrjetin social, Instagram.

Në shkrimin e publikuar, ajo theksoi se ishte e lodhur nga mediat dhe se do të marrë një pushim nga rrjetet sociale, vetëm për shkak të keqinformatave që jepen në drejtim të saj.

Sido që të jetë, Morena po e vazhdon luksin e saj në Turqi, atje ku edhe ka zhvendosur të gjitha aktivitetet muzikore.

Të tri artistet, Loredana, Fjolla dhe Morena, përkundër ‘skandaleve’ janë akoma në formë të mahnitshme e veçse kanë mbledhur më shumë ndjekës në rrjetet sociale. /Telegrafi/

Exit mobile version