Site icon Telegrafi

MASHTI tregon si po funksionon mësimi në distancë dhe nëse do të mbahet testi i maturës

Që nga 23 marsi në vendin tonë është duke u mbajtur mësimi në distancë për shkak të pandemisë COVID-19. Ligjëratat mësimore po transmetohen në televizionin publik të Kosovës dhe në web-faqen e-mësimi. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit konsideron se mësimi deri tani është duke shkuar në mënyrë të kënaqshme, megjithatë mësimi në distancë po përcjellët edhe me disa sfida.

Në një përgjigje të dhënë nga MASHTI për Telegrafin thonë se sfidë gjatë këtij procesi është mungesa e pajisjeve teknologjike, apo qasja në internet për një numër të caktuar familjesh.

“Organizimi i mësimit në distancë po bëhet i imponuar nga rrethanat e emergjencës shëndetësore si rezultat i së cilave është determinuar edhe mënyra e jetesës dhe përditshmëria e të gjithë të përfshirëve në procesin mësimor-edukativ, ku përfshihen nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Nga informacionet e deritashme dhe nga raportimet që po pranojmë nga DKA-të, mund të konstatohet se procesi mësimor është duke shkuar në mënyrë të kënaqshme. Meqë mësimi në distancë është një risi jo vetëm për Kosovën, është e natyrshme se procesi përcjellët edhe me sfida të caktuara. P.sh. edhe pse, sipas raportimeve që kemi, vijueshmëria është në nivel të lartë, megjithatë sfidë mund të konsiderohet mungesa e pajisjeve teknologjike për të gjithë nxënësit, apo mungesa e qasjes në internet për një numër të caktuar familjesh. Për këtë qëllim, MAShTI ka vendosur që mësimi të transmetohet në RTK si dhe të jetë në dispozicion në ueb faqen zyrtare https://emesimi.rks-gov.net“, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t për Telegrafin.

MASHTI bën të ditur se kanë kërkuar nga të gjithë ata që munden, që  të kontribuojnë me pajisje teknologjike për familjet në nevojë.

“MAShTI po e monitoron vazhdimisht procesin dhe ka dërguar udhëzime të duhura tek DKA-të rreth organizimit dhe mbarëvajtjes së mësimit në distancë. Përmes këtyre dokumenteve MAShTI ka përcaktuar parimet udhëzuese për mësimdhënësit dhe prindërit se si të implementohet kjo mënyrë e procesit mësimor në rrethanat e pandemisë”.

Kurse sa i përket testit të maturës shtetërore, MASHTI pohon se do të dalë me një qëndrim, në varësi të rrethanave epidemiologjike.

“Sa i përket testit të maturës shtetërore, MAShTI është duke e shqyrtuar këtë çështje dhe do të dalë me qëndrim zyrtar rreth kësaj tematike në periudhën vijuese, në varësi edhe të rrethanave epidemiologjike në vend”, thuhet  në përgjigjen e MASHTI-t.  /Telegrafi/

Exit mobile version