Site icon Telegrafi

MASHTI nuk i obligon maturantët të shkojnë në ekskursione

Në fillim të vitit shkollor, shumë shkolla të mesme në Kosovë organizojnë për maturantët ekskursione për në Shqipëri. Megjithatë, këtë shëtitje, maturantët nuk e kanë për obligim. Kjo pasi nga Ministria e Arsimit, shëtitjet e tilla konsiderohen si aktivitete jashtëshkollore dhe shpenzimet i bartin vetë maturantët.

Fundi i shtatorit pritet ta gjejë shumicën e maturantëve të Kosovës në përgatitje për ekskursione në Shqipëri.

Por, shuma nga 120 deri në 130 euro për person konsiderohet e lartë për maturantët.

“Po planifikimi me shoqëri është bërë, është viti fundit jemi maturantë edhe besoj që shuma është e arsyeshme sepse ne kemi me vizitua shumë monumente dhe qytete të ndryshme”, thotë për RTK-në maturantja, Alketa Kika.

“Shuma më duket e arsyeshme sepse kalojmë shumë kohë me shoqërinë edhe vizitojmë shumë vende të bukura në Shqipëri dhe mësojmë për historinë e Shqipërisë”, tha maturanti Elird Thaçi.

Një ndër shkollat që sivjet ia ka dhënë dritën e gjelbër për ekskursione, që megjithatë nuk janë të detyrueshme, është edhe gjimnazi “Ahmet Gashi” në Prishtinë.

“Ne shkojmë çdo vit. Është e paraparë me udhëzimin administrativ për ekskursione sidomos në Shqipëri dhe Këshilli Drejtues i Shkollës ka marrë vendim që edhe sivjet të realizohet ekskursioni”, tha Haxhi Metaj, drejtor i gjimnazit “Ahmet Gashi”.

Drejtori shpjegon se si përcaktohet shuma e ekskursionit.

“Ekskursioni është katërditor, shumën e përcakton tenderi d.m.th që shpallet, kompania. Zakonisht ka qenë diku 120 deri në 130 euro”, thotë ai.

Se çmimi i ekskursionit është i lartë për maturantët, e thotë edhe nënkryetarja e Këshillit të Prindërve të Prishtinës, Teuta Emini.

Ajo thekson se maturantëve me kushte jo të mira ekonomike shumicën e rasteve u është gjetur zgjidhje.

“Sa i përket çmimit a është e arsyeshme, duke i parë kushtet ekonomike tani për tani që Kosova posedon, ndoshta çmimi është pak i ngritur”, tha Emini.

Në udhëzimin administrativ të Ministrisë së Arsimit, ekskursionet e tilla llogaritën si aktivitete jashtëshkollore.

“Udhëzimi administrativ i Ministrisë së Arsimit për aktivitete jashtëshkollore

Financimin e ekskursionit e bëjnë vetë nxënësit me pëlqimin e prindërve.
2. Nxënësve me sukses të dalluar ose atyre me gjendje jo të mirë sociale, shkolla mund t’u ndihmojë financiarisht në bashkëpunim me prindër.

Për aktivitete jashtëshkollore, përzgjedhja e agjencisë së udhëtimit bëhet nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, duke marrë parasysh ofertat e parashtruara, me ç’rast përcaktohet shuma totale e ekskursionit”, thuhet në udhëzim.

Exit mobile version