Ministria e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Inovacionit, ka bërë të ditur përmes një komunikate se ligjëratat me video të transmetuara në Radio Televizionin e Kosovës do të transmetohen edhe gjatë ditëve të festave.
Këto ligjërata do të transmetohen në të njëjtën orë që transmetohen gjatë ditëve të tjera.
“Duke marrë parasysh faktin se transmetimi i video-ligjëratave sipas këtij orari mund të përkojë me ndonjë ditë që është e përcaktuar si festë zyrtare në Republikën e Kosovës, MASHTI sqaron se pavarësisht kësaj, video-ligjëratat do të transmetohen sipas orarit të fiksuar, pra edhe gjatë ditës së festës zyrtare”, thuhet në komunikatë.
Meqë ndjekja e këtyre ligjëratave nuk është e obligueshme, MASHTI ka vendosur që video-ligjëratat e transmetuara gjatë ditës së festës do të ri-transmetohen në RTK 4 ditën e shtunë të po asaj jave kur është festa.
“Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditën e festave, MAShTI ju bën me dije se video-ligjëratat e transmetuara gjatë ditës së festës do të ri-transmetohen në RTK 4 ditën e shtunë të po asaj jave kur është festa”, bën të ditur MASHTI. /Telegrafi/