Pas hyrjes në fuqi të masave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit në Kosovë, në të gjitha shkollat është ndërprerë procesi mësimor.
Nxënësit janë duke e përcjellë ligjëratat përmes platformës e-mësimi që transmetohet në televizionin publik.
Por, meqë nesër është festa e 1 Majit, MASHTI përmes një komunikate ka njoftuar se do të ritransmetoj ligjëratat e ditës së nesërme, të shtunën.
“Pasi 1 maji është ditë pushimi për arsye të Ditës Ndërkombëtare të Punës, dhe për faktin se nxënësit dhe mësimdhënësit nuk e kanë të domosdoshme përcjelljen e video-ligjëratave në ditët e festave zyrtare, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se video-ligjëratat për mësimin në distancë që transmetohen në RTK gjatë ditës së premte do të ri-transmetohen edhe ditën e shtunë më 2 maj, sipas orarit të njëjtë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/