Site icon Telegrafi

​MASHTI nënshkruan Protokoll bashkëpunimi me Kampusin Evropian të Universitetit të Jorkut në Selanik

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nënshkruar sot Protokollin e Bashkëpunimit me Kampusin Evropian të Universitetit të Jorkut në Selanik–Kolegjin CITY për ofrimin e 60 bursave për studentë nga Kosova.

Ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se përmes këtyre bursave, studentët nga Kosova do të mund të studiojnë në këtë kolegj në Greqi në nivelet bachelor, master dhe MBA (program ekzekutiv i diplomës duale pan-evropiane, forma e studimit me kohë të pjesshme-fundjavë).

“Këto bursa do të fillojnë nga viti akademik 2021/2022 deri në përfundim të programit specifik akademik. Sipas Protokollit të nënshkruar sot, 30 bursa do të jepen me tarifë studimi të plotë 100 për qind dhe 30 të tjera me tarifë studimi gjysmë të plotë 50 për qind”, ka thënë ajo.

Afati i fundit për aplikim për bursa është caktuar data 28 qershor 2021. Për këtë, MASHTI së shpejti do të publikojë në faqen zyrtare edhe konkursin, ku kandidatët do të informohen rreth kritereve dhe detajeve të aplikimit.

Ndryshe, bashkëpunimi me Kolegjin CITY ka filluar që nga viti 2009, ndërsa numri i bursave është rritur nga viti në vit.

Exit mobile version