Në vazhdën e organizimit të procesit të mësimit në distancë, në kontekstin e pandemisë COVID-19, MAShTI me mbështetjen e organizatës ‘Save the Children’, po e lanson platformën më të re “Arsimi gjithëpërfshirës” (arsimigjitheperfshires.rks-gov.net), me qëllim të ofrimit të mundësive për zhvillim socio-emocional dhe njohës të fëmijëve me nevoja të veçanta. Platforma ofron aktivitete mësimore për fëmijë dhe materiale ndihmëse për prindër/kujdestarë ligjor, mësimdhënës dhe asistentë të fëmijëve me nevoja të veçanta.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si parim themelor ka gjithëpërfshirjen e cila nënkupton jo vetëm përfshirjen fizike në shkollë, por edhe ofrimin e mundësive që të gjithë fëmijët të zhvillojnë aftësitë dhe potencialet e tyre individuale.
Aktivitetet mësimore janë të ndara sipas fushave të kurrikulës dhe fushave të aktiviteteve. Gjithashtu, platforma ofron tema dhe njësi konkrete, materiale didaktike, këshilla, video, udhëzime audio-vizuale, fleta pune dhe fotografi për të gjithë fëmijët bazuar në nivelet dhe aftësitë individuale.
Përveç aktiviteteve mësimore, platforma ofron informata dhe materiale ndihmëse lidhur me qasjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, metodat bazike, vlerësimin dhe informata tjera të rëndësishme për zhvillimin social, emocional dhe psiko-fizik të fëmijës.
Çdo fëmijë ka karakteristika, interesime, aftësi dhe nevoja individuale për të mësuar, andaj ofrimi i mundësive të barabarta për të gjithë, mundëson ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, përmbushjen e arsimimit për të gjithë dhe mbi të gjitha, përmirësimin e sistemit arsimor në përgjithësi”, thuhet në njoftimin për media.
Kjo platformë do jetë aktive nga nesër (datë 30.04.2020) dhe do të plotësohet rregullisht me materiale dhe aktivitete të reja, prandaj ju ftojmë që ta përcjellni në vazhdimësi. /Telegrafi/