Telegrafi

Disa nxënës u larguan nga Provimi i Maturës, rezultatet më 1 korrik

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka njoftuar se sot është mbajtur Provimi i Maturës, të cilit i janë nënshtruar rreth 19 mijë maturantë. Ndërsa, disa nxënës janë larguar nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave.

Në njoftimin e MASHTI-t thuhet se Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM) njofton se ka përfunduar Provimi i Maturës 2024, të cilit iu nënshtruan rreth 19 mijë maturantë.

“Provimi i Maturës këtë vit është organizuar në 151 Qendra të Testimit, ku maturantët kanë qenë të sistemuar në 1500 klasa. Këtë vit kanë qenë të angazhuar 180 kryetarë të komisioneve të caktuar nga MASHTI, 1500 administrues dhe 1500 mbikëqyrës nga Parlamenti i studentëve të UP-së”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se KShM falënderon të gjithë akterët e përfshirë në procesin e testimit për kontributin e tyre në mbarëvajtje të procesit.

“Sipas raporteve të administratorëve, në disa qendra ka pasur largim të nxënësve nga provimi për shkak të përdorimit të telefonave.  Sa i përket të dhënave të tjera rreth administrimit, KShM do të raportojë pas përpunimit të të gjitha raporteve nga të gjitha Qendrat e Testimit në nivel vendi”, thuhet në njoftim.

Sipas MASHTI-t, rezultatet e Provimit të Maturës do të publikohen më 01.07.2024. /Telegrafi/