Site icon Telegrafi

MASH në lidhje me nxënëset me shami: Arsimi fillor është i detyrueshëm

Ministria e arsimit dhe shkencës shpalli kumtesë në lidhje me rastin e shkollës fillore “Vëllazërim dhe bashkim” në Ohër, ku dy vajzave nuk i është lejuar ndjekja e mësimit për shkak se kanë mbajtur shami në kokë. Nga MASH sqarojnë se tek ata është drejtuar prindi i dy nxënëseve, të cilit Ministria i ka dërguar përgjigje se në pajtim me Ligjin për arsim fillor, arsimi fillor është i detyrueshëm. Gjithashtu kanë qartësuar se nën kompetenca të drejtroit të shkollës është organizimi, planifikimi dhe udhëheqja e punës në shkollë fillore dhe ai është përgjegjës për realizimin e të drejtave dhe obligimeve të nxënësve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Po na habit interpretimi i gabuar i shkrimit të MASH, se me atë drejtorit të shkollës i jepet leje për çfarëdo qoftë sjellje ose nga ana e prindit të nxënësve. Në të kundërtën, MASH tregon se arsimi fillor është i detyrueshëm dhe sqaron kompetencat ligjore të drejtorëve të shkollave. Nga kjo, nënkuptohet se të gjithë qytetarët janë të detyruar të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet në Republikën e Maqedonisë, duke përfshirë këtu edhe drejtorët e shkollave, të cilët detyrat e tyre duhet t’i kryejnë në korniza të rregullave pozitive ligjore”, thuhet në kumtesën e MASH.

Lexo po ashtu Avokati i Popullit: Vajzave me shamia në Ohër t’u lejohet të ndjekin mësimin

Për shkak të konfuzioneve që u krijuan në publik në lidhje me këtë rast, MASH me këtë rast rikujton se drejtorët e shkollave fillore komunale emërohen dhe shkarkohen nga ana e kryetarëve të komunave me propozim të këshillave shkollorë të shkollave fillore.

“Nëse ekzistojnë informata rreth veprimeve të drejtorit me të cilat, për faj të tij janë dëmtuar nxënësit e shkollës ose prindërit e tyre, në atë rast këshilli shkollor mban seancë në të cilën sillet përfundim në formë të shkruar e cila dërgohet në drejtori. Sipas ligjit parashihet se në rast se vërtetohet thyerje e ligjit dhe pamundësim i kryerjes së procesit edukativo-arsimor të nxënësve, kanë të drejtë që krahas këshillit shkollor dhe Inspektoratit shtetëror të arsimit të ankohen edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës”, shtohet në kumtesën e MASH./Telegrafi/

Exit mobile version