Shërbimi Korrektues i Kosovës në bashkëpunim me Departamentin Shëndetësor të Burgjeve, bazuar në vlerësimin e gjendjes së përgjithshme të pandemisë në vend, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të të burgosurve dhe stafit nga 22 janari do të ndërmerr veprime të përkohshme për zbatimin e masave kundër COVID-19.
Këto janë masat e ndërmarra: ndalimi i vizitave familjare për të gjitha kategoritë e të burgosurve; ndalimi i vikendeve për të dënuarit nëpër institucionet korrektuese, ndalimin e vizitave në lokalet e veçanta, aplikimin e sistemit virtual të komunikimit “Skype” për të burgosur për të mundësuar kontaktet me familjet, sipas rutinës së përcaktuar nga Institucioni, lejimin e numrit të shtuar të thirrjeve telefonike gjatë kësaj periudhe dhe pastrimi i rrobave për të paraburgosur do të organizohet në institucione.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës do të vazhdojë bashkërendimin institucional me institucionet relevante të Republikës së Kosovës dhe do të mbajë të informuar opinionin publik rreth hapave në vazhdim”, thuhet në njoftim.
Nga masat e lartpërmendura përjashtohen: Institucioni i Avokatit të Popullit; Mbrojtësit (avokatët) në rastet kur gjykimi është në zhvillim. /Telegrafi/