Agjencia gjermane e kontrollit të sëmundjeve ka njoftuar të enjten se situata me coronavirus në këtë vend është akoma serioze, por se ekzistojnë gjurmë që masat e mbylljes (lockdown) kanë filluar të ngadalësojnë përhapjen e coronavirusit.
Instituti Robert Koh ka raportuar për 22.609 raste të reja të konfirmuara me COVID-19 në 24 orët e fundit, dhe për 251 tjerë që kanë humbur jetën nga infeksioni i coronavirusit, transmeton Telegrafi.
Ute Reksrot, zyrtare e lartë e angazhuar në Institutin kundër pandemisë, ka deklaruar se i ashtuquajturi numri reproduktiv që tregon se sa njerëz janë infektuar – është në rënie e sipër.
Ndërkaq presidenti i Institutit Robert Koh në Berlin, profesori Lothar Vieler, ka bërë të ditur se situata në Gjermani është “akoma shumë serioze”, edhe pse ekziston rreziku që spitalet të stërmbushen me numrin e madh të infektuarve me COVID-19.
Kujtojmë që Gjermania ka vënë masa të rrepta kufizuese që nga fillimi i nëntorit, duke mbyllur restorantet, baret e fitnese – por duke lënë të hapura dyqanet dhe shkollat.
Shumë qytetarë janë të pakënaqur me masat kufizuese, kështu në disa qytete gjermane janë mbajtur protesta për t’i kundërshtuar ato. /Telegrafi/