Site icon Telegrafi

Masar Omeragiç president i ri i FFM-së

Në Kuvendin e sotëm të jashtëzakonshëm është zgjedhur njeriu i parë i futbollit të Maqedonisë së Veriut.  Masar Omeragiç është kryetar i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, njofton Telegrafi.

Omeragiç në këtë post do të zëvendësojë Muhamed Sejdinin, i cili me 17 nëntor dha dorëheqje nga posti i të parit të futbollit në vend.

Pikërisht ishte Sejdini i cili hapi këtë Kuvend, duke uruar edhe pasardhësit e tij. Fjalimin e radhës si përfaqësues i UEFA-s, e kishte Denis Bastari. Në emër të Shtëpisë më të madhe futbollistike evropiane, Bastari numëroi sukseset e përfaqësueses së Maqedonisë nën drejtimin e Sejdinit, përfshirë këtu suksesin e fundit në Ligën e Kombeve.

Menjëherë pas përfundimit të Kuvendit të Përgjithshëm të Jashtëzakonshëm të Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), presidenti i ri i FFM-së, Masar Omeragiç, ka mbajtur takim me anëtarët e Bordit drejtues të Federatës.  Në takim, me propozim të kryetarit të FFM-së, Masar Omeragiç, anëtarët e Bordit Drejtues të FFM-së, për nënkryetar të Federatës së Futbollit të Maqedonisë zgjodhën Marjan Stojkoski nga Prilepi.  Në seancë është konstatuar edhe dorëheqja e Natalia Ilievska Bozhinovska nga pozita e sekretares së përgjithshme.

Drilon Ganiu është emëruar ushtrues detyre sekretar i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Maqedonisë.  Me propozim të kryetarit të ri të FFM-së, legjenda e futbollit nga Maqedonia e Veriut, Goran Pandev është emëruar drejtor sportiv i të gjitha përfaqësueseve të Maqedonisë.

Agim Ibraimi dhe Ilija Najdoski janë emëruar këshilltarë në zyrën e kryetarit të FFM-së, Masar Omeragiç. /Telegrafi/

Exit mobile version