Nadire Kurti, 69-vjeçarja shqiptare e cila masakroi me hanxhar bashkëshortin e saj Shefki Kurti është dënuar me 14 vite e 6 muaj burg nga gjykata italiane.
Gjykata e Rovigo-s në Itali dha vendimin këtë të shtunë për dënimin e shtetases shqiptare e cila tronditi opinionin publik me krimin e saj
69-vjeçarja e vrau dhe e coptoi trupin e bashkëshortit duke e ndarë në disa qese plastike të zeza.
E moshuara i hodhi qeset në një kanal, por gjithçka u zbulua më 18 gusht të vitit të kaluar, ku tharja e kanalit për shkak të temperaturave të larta zbuloi krimin e rëndë.
Prokurori shpjegoi se brutaliteti i këtij krimi i kishte bërë hetuesit që të mendonin pista të tjera fillimisht, ku më kryesorja ishte përfshirja e krimit të organizuar.
Por pas hetimeve të thelluara u provua se autore ishte bashkëshortja e Kurtit, e cila vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe prej vitej kurohej nga një psikiatër.
Në dëshminë e saj për vrasjen e bashkëshortit, ajo tha se 72-vjeçari e kërcënonte vazhdimisht.
“Më keqtrajtonte, më rrihte, më kërkonte që të ikja se do të shiste shtëpinë. Më kishte kërcënuar disa herë se do më vriste e do më bënte copë copë, dhe atë ditë më kërcënoi o do vdisja unë o do vdiste ai”, ka rrëfyer Kurti. /Telegrafi/