Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin për masakrimin e 68-vjeçares Shazivare Dervishi, duke konsideruar fajtor bashkëshortin e saj, i cili u dënua me 35 vjet burgim.
Veli Dervishi, 74 vjeç i shpëtoi burgimit të përjetshëm për shkak të moshës, duke përfituar gjykimin e shkurtuar.
Megjithatë, pak përpara vendimit ai nuk shfaqi asnjë shenjë pendese për krimin që i mori jetën nënës së 3 fëmijëve.
Avokati tentoi ta mbrojë të moshuarin me pretendimin se gjatë konfliktit në çift, ai e kishte qëlluar gruan nën tronditje psikike.
Por i akuzuari i tha gjykatës se e qëlloi bashkëshorten pasi ajo e kishte ofenduar. Më tej ai u justifikua duke thënë se e masakroi Shazivaren për t’u vetëmbrojtur.
Veli Dervishi u braktis në gjykatë nga të afërmit dhe fëmijët, të cilët nuk ndoqën asnjërën nga pesë seancat gjyqësore të zhvilluara kundër 74-vjeçarit.