Ngjarja e dy ditëve të fundit mbi masakrën e civilëve të ndodhur në Irak, e të prezantuara përmes fotografive në rrjetet sociale dhe më pas të botuara nga mediat e ndryshme, janë një nga ngjarjet më tmerruese, kundër çdo vlere njerëzore, primitive, e çka jo më keq. Ngjarje të kësaj natyre kemi hasur edhe në të kaluarën. Të këtilla ngjarjesh kemi hasur edhe në Kosovë para një dekade, por me një këndvështrim dhe diplomaci tjetër. Le të lutemi që këso ngjarje të ndalen ku do në botë dhe të mos përsëritën.
Shikuar këtë ngjarje në këndvështrimin sociologjik, nuk do të duhej dhe nuk e besoj se ka qenie njerëzore të shëndosh (psikike) e që nuk është absolutisht kundër këtyre krimeve monstruoze çfarë po na ekspozohen kohëve të fundit, pavarësisht bindjeve ideologjike, përkatësive etnike etj. I shoh dhe i kuptoj drejt emocionet e përziera të individëve të caktuar në njërën anë, të dhimbjes për viktimat dhe në anën tjetër të përfshirjes në këtë situatë të një shqipfolësi. Mirëpo, kujtoj që ngjarjet si këto, e veçmas kjo e fundit nuk do të duhej të ishte kulminacioni i kësaj ngjarje përfshirja e një anëtari të një përkatësie etnike X apo Y, por ngjarja monstruoze si e tillë.
Në të kundërtën, që në start po krijohen paragjykime e gjykime të padrejta dhe diferencime shoqërore e të njëanshme, të cilat për pasojë krijojnë urrejtje, diskriminime etj. Për të thjeshtësuar këtë që u tha më lartë, si thonë në popull “nuk ka mal pa ujk” ose “nëse një lis është i kalbur, nuk do të thotë se i tërë pylli është i kalbur apo bjeshkët na qenkan të kalbura – jo të mira”. Në mënyrë që të shpëtohet një pyll i tërë, atë do të duhej ta mirëmbajmë dhe të distancohemi nga ajo e keqe që mund të marr përmasa më të mëdha.
Për vepra të kësaj natyre dhe të tjera, jepen dënime të merituar për secilin individ veç e veç, apo/ose organizatë të përfshirë në te. Por, kurrsesi nuk duhet gjykuar e dënuar mbi baza të përkatësive etnike apo ideologjive të caktuara.
Sa i përket përfshirjes në këtë situatë tmerruese të një shqipfolësi, është e rëndësishme që institucionet përkatëse vendore, të hulumtojnë shkaqet e përfshirjes së shqiptarëve në këso situata tmerruese, gjenocidale në vende të huaja, në mënyrë që të ndërmerren të gjitha masat parandaluese e të cilat do të mund të sjellin pasoja shumë të mëdha për shoqërinë dhe vendin.