Telegrafi

Masakra e 3 dhe 4 shkurtit në veri të Mitrovicës, Hamza: Do të vendoset një pllakë përkujtimore – dëshmi e rrëfim për gjeneratat e reja

Kryetari i komunës, Bedri Hamza, së bashku me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Valdete Idrizi, kanë pritur në takim disa prej familjarëve nga masakra e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në veri të Mitrovicës, si dhe kryetarin e KMLDNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani.

Gjatë këtij takimi kryetari Hamza ka thënë se kjo masakër, ndryshe nga masakrat e tjera gjatë luftës, ndodhi pas luftës e në paqe. Vuajtjen e bën më të vështirë fakti që akoma nuk është arrit drejtësia për ta, tha ai.

Hamza, i siguroi familjarët se në shenjë respekti e kujtimi për këtë masakër, do të vendoset një pllakë përkujtimore, me një proces gjithëpërfshirës e bashkëpunues.

“Kjo pllakë, e cila nuk do të jetë vetëm një njohje e kësaj tragjedie, por edhe dëshmi e rrëfim për gjeneratat e reja”.

Në njoftim thuhet se Hamza po ashtu u ka premtuar familjarëve dhe të mbijetuarve nga kjo masakër përkrahje dhe kujdes institucional brenda mundësive.

Më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 në veri të Mitrovicës, u vranë 10 qytetarë civilë e të pafajshëm, ku në mesin e tyre kishte fëmijë, gra dhe pleq.

Po ashtu, në këto data ishin 1564 familje e mbi 11 mijë shqiptarë që u dëbuan dhunshëm nga shtëpitë e tyre me qëllim të spastrimit etnik. /Telegrafi/