Këtë vit maturantët në provimin e maturës shtetërore do të kenë pyetje nga vetëm katër lëndë, gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë dhe një lëndë zgjedhore që (ata)maturantët kanë pasur mundësi ta zgjedhin.
Edhe këtë vit testimi do të jetë në dy ditë dhe do të jetë i ndarë në katër regjione. Maturantët do t’i nënshtrohen pjesës së parë të provimit të maturës nga data 12 deri më 15 qershor në lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze, ndërsa pjesa e dytë e provimit do të mbahet nga data 19 deri më 22 qershor në matematikë dhe në lëndën zgjedhore.
Masa ndëshkimi janë paraparë për maturantët dhe administratorët e testit nëse zihen duke kopjuar, ndërkohë që zhurmues të valëve të telefonit do të vendosen në të gjitha qendrat e testimit.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës Fehmi Hysenaj, deklaron se të gjitha përgatitjet për mbajtjen e këtij testi janë bërë, derisa thekson se tërheqja publike e shortit për renditjen e mbajtjes së testit nëpër regjione do të bëhet me 6 qershor.
“Kësaj radhe kemi bërë ndryshime, ndryshimi kryesor është se kësaj radhe nxënësit do t’i nënshtrohen testit vetëm në katër lëndë, tri që janë obligative sipas ligjit, është fjala për gjuhën shqipe, matematikën dhe gjuhën angleze dhe një do ta zgjedhin vet nxënësit, tashmë këtë vetëm e kanë bërë nxënësit, nga 12 lëndët e mundshme kanë zgjedhur njërën prej tyre të cilën kanë pasur dëshirë. Ndërsa është punuar shumë edhe me ekspertët e një kompanie binjakëzuese të cilët kanë punuar me ekspertët tanë me mbikëqyrësit e lëndëve dhe testi do të jetë konform nevojave dhe konform kurrikulës. Shumica e pyetjeve të cilat do të jenë në testin e maturës do të jenë pyetje të cilat kanë të bëjnë me kurrikulën e bazuar në kompetencë dhe për këtë janë kryer të gjitha aktivitetet. Besoj që kësaj radhe përveç në pjesën e administrimit, testi i maturës do të jetë më cilësor edhe nga aspekti i përmbajtjes së tij”, deklaroi ai.
Hysenaj thotë se testi do të ketë 200 kërkesa, ndërsa pragu i kalueshmërisë do të jetë me 40 përqind të përgjigjeve të sakta.
“E kemi bërë një balancim në mes të lëndëve, dita e parë do të jetë gjuha shqipe dhe gjuha angleze, ndërsa dita e dytë do të jetë matematika dhe lënda zgjedhore. Testi do t’i ketë gjithsej 200 kërkesa, kalueshmëria është njësor sipas ligjit 40 përqind, do të thotë secili nxënës për të kaluar testin e maturës dhe për t’u pajisur me certifikatë duhet të kalojë 80 nga 200 kërkesa”, potencoi Hysenaj.
Sipas Hysenajt janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar një administrim të mirë të testimit. Ai thotë se do në qendrat e testimit do të vendosen zhurmues të valëve, në mënyrë që të parandalohet që testi të shpërndahet në rrjetet sociale.
“Jemi në procedurë e sipër që të sigurojmë që valët e telefonit ose zhurmuesit e valëve të vendosen në secilën qendër të testimit. Por, edhe një që duke u konsultuar me zyrën ligjore besoj që shumë shpejt do të vendosim që arsimtarët të cilët janë pjesëmarrës në administrimin e testit do të kenë mundësi të humbin licencën, që lëshohet nga MAShT për shkak të keqpërdorimeve nëse ata zihen”, deklaroi ai.
Masa ndëshkimi përveç për nxënësit që zihen duke kopjuar, sipas Hysenajt do të ketë edhe për administratorët nëse zihen duke bërë keqpërdorime.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës Fehmi Hysenaj thotë se presin rezultate reale dhe këtë provim ta kalojnë vetëm ata që e meritojnë.
“Ne jemi që të ketë administrim të barabartë për të gjithë nxënësit, të ketë kushte të barabarta, ndërsa rezultati varet nga nxënësit dhe po mendoj që edhe vitin e kaluar përkundër asaj që kalueshmëria ka qenë më e vogël ndërsa arritshmëria ka qenë e mirë. Edhe kësaj radhe mendoj që do të ketë arritshmëri të mirë të nxënësve, ndërsa kalueshmëria kam dëshirë që të jetë sa më reale e mundshme”, u shpreh Hysenaj.
Provimit shtetëror të maturës do t’i nënshtrohen mbi 28 mijë nxënës nga e gjithë Kosova./KP/