Site icon Telegrafi

Martyn, alter ego i Del Pontes

Doli në skenë serbofili, kundërshtari i pavarësisë së Kosovës, i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martyn, i cili në intervistën e tij për "TagesAnzeiger", më 20 shkurt 2008, ka thënë: "Unë nuk besoj që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë e pafajshme. Nuk mund të mohoj se Kosova është bërë në një nga qendrat më të mëdha të krimit të organizuar, trafikimit me qenie njerëzore, trafikimit me armë dhe qendër e drogës".

Tërthorazi, ai u orvat të mbështes akuzën hipotetike të Carla Del Pontes rreth pretendimit se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbëve gjatë luftës në Kosovë. Zotëri Dick Martyn supozojmë se teza e juaj qëndron, por fjala është për një akuzë, ngjarje, që trumbetohet të ketë ndodhur para dhjetë vjetësh. Shqiptarët e Kosovës atëbotë janë përballur mes jetës dhe vdekjes, nuk kanë pasur kohë të merren me "trafikim të qenieve njerëzore, drogës…". "Diagnoza" e juaj del paksa qesharake, apo jo.

Martyn s’është gjë tjetër pos një alter ego i Del Pontes, ngase që në start të misionit të tij faktmblëdhësi tregoi aversionin që ka ndaj Kosovës.

Supermeni me "dorëza të bardha", Dick Martyn i hyri një pune mjaft të vështirë, të ndërlikuar, një "mali" përplotë spekulime që i mbolli ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla Del Ponte, libri i së cilës është ndaluar të shtypet në Zvicër. Zotëri Martyn, nëse ka forcë e dije, duhet ta qojë çështjen deri në fund, të ndriçoj akuzën hipotetike të Del Pontes.

Që të dy, Martyn e Del Ponte ishin prokurorë, i pari në rrafshin shtetëror, ndërsa tjetri në atë ndërkombëtar. Kanë arsimim juridik, e dinë çdo të thotë të akuzosh dikë për ndonjë krim të rëndë, çka duhet të përbëj akuza. Nëse dikë e akuzon pa prova, kësaj zotërinj i thonë shpifje dhe përhapje të lajmeve të rreme, vepra penale këto të ndëshkuara në sistemet e mirëfillta juridike.

Ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u përballën me hordhitë e Sllobodan Millosheviqit, ua qëndisën atyre lulen e ballit, por nuk i masakruan viktimat, siç e bënë këtë forcat serbë. Nuk është në traditën e shqiptarëve të masakrojnë viktimat. Del Ponte shkeli në dërrasë të kalbur, me vetëdije a pa vetëdije hyri në zonën kriminale për çka, natyrisht, ajo nuk i shpëton shpatës së drejtësisë.

Zonja ish kryeprokurore u orvat të krijoj një imazh të rremë, të neutralizoj krimet çnjerëzore që i bënë serbët, t’i paraqes më barabarë luftërarët e UÇK-së, mbase ka pandehur se këtë "do ta hante pazari". Por, llogaria e saj, me akuza hipotetike, doli të jetë karikaturë e kohës. Lexuesit e akëcilit libër, pra edhe të Del Pontes, janë kureshtarë të dinë për faktet, e jo thashethemet.

Del Ponte deri sa e kishte postin e kryeprokurores ndërkombëtare nuk pati guxim që akuzën e saj të përmendur ta paraqes në Tribunalin e Hagës. E dinte ajo se këtu, në Tribunalin e Hagës, do të pësonte fiasko, do të rrëzonte nivelin e saj, ngase gjykatësit do të kërkonin nga ajo që ta argumentoj pohimin e saj. Ajo mori guximin që "margaritarin" ta nxjerrë në librin e saj "Gjahu, kriminelët e luftës dhe unë". Pandehu ajo se këtë "çikërrimë" s’do ta vërejnë të tjerët.

Organet e Kosovës s’ bën të rrinë duarkryq, të bëjnë sehir, të presin se ç’ thonë të huajt. Këtë dhelpër të Ballkanit, duhet ta nxjerrin në gjyq, ta akuzojnë për gënjeshtrat që i bëri në dëm të Kosovës. Edhe Del Ponten e "kap" ligji, s’është ajo mbi ligjin. Shpatës së drejtësisë s’mund t’i shpëtojnë as presidentët e shteteve. Me çdo kusht duhet të nxirret në gjyq. Nëse ajo në përballje me gjyqin nuk argumenton akuzën e saj, vendin e ka në burgun e Sheviningenit, aty ku gjendeshin "pacientët" e saj, ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ministri Fatmir Limaj e të tjerët.

Ç’ju desh zviceranit Dick Martyn ta "stërpik" Kosovën, ta quaj "qendër të trafikimit të njerëzve, drogës…". E bëri këtë krye në vete, apo i frye dikush në vesh ta tipizoj kësisoj Kosovën. Ka fakte për këtë, apo ia futi kot së koti. Kjo finesë flet për paragjykimet e këtij ‘faktmbledhësi’, i cili don t’u hyj në hatër serbëve, apo të bëhet "yll", personalitet "interesant".

Martyn e nisi "ekskursionin" e tij në Beograd dhe Tiranë. Zyrtarët e Beogradit ia "mbushën xhepat" me "dëshmi", siç është thënë "të dhjetëra rasteve të tilla". Serbët e "flladitën" këtë zotëri. Zyrtarët e Prishtinës pohimet e Del Pontes i cilësuan si spekulime. Së këtejmi, Tirana zyrtare, të enjtën ( 6 gusht ), i ka komunikuar Dick Martyn se nuk mund të hetohet në Shqipëri mbi akuzat e Carla Del Pontes dhe autoriteteve të Beogradit rreth pretendimeve se UÇK-ja ka trafikuar organet e serbeve gjatë luftës në Kosovë.

Zotëriu Dick Martyn le t’i referohet të dhënave zyrtare, t’i merrë shënimet në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë përkitazi me hetimet ndaj tre serbëve, njëri shtetas i Kosvës ndërsa dy të tjerët të Serbisë, të cilët mbahen brenda grilave, të dyshuar të kenë paguar njerëz, me kusht që ata të dëshmojnë rrejshëm se UÇK-ja ka trafikuar organe njerëzish. Hetimet ndaj këtyre tre të pandehurve nisën në qershor të këtij viti. Andaj, Martyn, i dërguar nga Këshilli i Evropës, le të shikoj shkresat e lëndës në gjykatën e përmendur. Një fjalë e urtë e popullit thotë:Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda.

Skandali i trilluar i Del Pontes me të cilin tash merret faktbledhësi Dick Martyn fund e krye ka prapavijë politike. Orvatja që Kosovës t’i veshet një damkë, të krijohet imazh negativ për të.

Hetuesin Martyn, i cili i ka dyert e hapura në Kosovë, s’bën ta kaplojnë emocionet, të bie nën ndikimin e serbëve, të cilët tradicionalisht e kanë gënjeshtrën në gjen, kur gënjejnë nuk skuqen e nuk zverdhen. Ai duhet të veproj me kokë të ftohtë, t’i përdorë picetat e kriminalistit, të ndajë shapin nga sheqeri.

Jo rastësisht s’mbahet në pezull akuza e Del Pontes. Luhet loja e "sensibilizimit" të spekulimeve të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, paditëses arrogante, e cila siç dihet botërisht e pati fyer Ramush Haradinajn dhe të tjerët duke i quajtur "gangsterë".
Dihet librin e saj të fundit autoritetet zvicerane nuk lejuan që të shtypet në Zvicër. Nuk do mend, po të ishte i virgjër libri i saj, këtë hap që e kishin marrë autoritetet zvicerane nuk do ta bënin.

Synim tjetër, i autores së librit të përmendur, ishte që t’i jepet "dëshmi" palës serbe që ajo t’i paraqes në Gjyqin Ndërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, për çka presidenti serb Boris Tadiq e ministri i tij Vuk Jeremiq po i fërkojnë duart. Madje, këta zyrtarë serbë ende pa nisur procesi gjyqësor në GJND, krekosen se do të triumfojnë. Megjithëkëtë, edhe kjo lojë e rrezikshme, pa dyshim, do të jetë një bumerang për palën serbe.

Exit mobile version