Site icon Telegrafi

Marty pas Beogradit në Tiranë

Dick Marty senatori zvicerian kryeson delegacionin e Këshillit të Evropës që do të raportojë përpara Asamblesë Parlamentare të KE-së, për hetimet.

Autoritet nuk kanë dhënë njoftime zyrtare lidhur me agjendën e delegacionit të kryesuar nga senatori zviceran, Dick Marty, por kjo vizitë për këto hetime nuk është e para.

Një fshat i Burrelit, që është vendi ku pala serbe aludon se janë kryer transplante të organeve të serbëve të rrëmbyer nga njësitë e UÇK-së, e kanë vizituar më parë prokurorë të Tribunalit të Hagës dhe shumë gazetarë.

Autoritet shqiptare kanë hedhur poshtë kategorikisht të gjitha aludimet e palës serbe dhe kanë deklaruar se një gjë e tillë është trillim.

Edhe përfaqësues të Prokurorisë së Serbisë kanë marrë më parë takime me drejtues të Prokurorisë shqiptare në Tiranë.

Reagimet në Kosovë

Pala shqiptare është treguar e gatshme për hetime ndërkombëtare, por jo për hetime të njëanshme serbe.

Autoritetet e Prishtinës ndërkaq thanë se akuzat e Beogradit për trafikim organesh janë një lojë politike. Megjithatë ato u shprehën të gatshme që të bashkëpunojnë për krimet e kryera gjatë periudhës së konfliktit të vitit 1999.

Prishtina hedh poshtë pohimet se pjesëtarët e ish UÇK-së, kanë qenë të përfshirë në trafikim organesh.

Pohimet e tilla për herë të parë u ngritën nga ish Kryeprokurorja e Gjykatës së Hagës, Carla del Ponte në librin e saj “Gjuetia”, të botuar në vitin 2008.

Pas kësaj, një numër organizatash ndërkombëtare kërkuan hetime rreth kësaj çështjeje, ndërsa Këshilli i Evropës caktoi Dick Marty të merret me këtë çështje. /bbc/

Exit mobile version