Site icon Telegrafi

MARTIRËT E LIGJIT TË NJERIUT

Kahlil Gibran

Nga: Khalil Gibran
Përktheu: Bajram Karabolli

Vallë je lindur në djepin e dhimbjes dhe je rritur në prehrin e fatkeqësisë e në shtëpinë e tiranisë? Po ha një kothere buke gur të fortë, të njomur thjesht me lotët e tu? Je një ushtar që ligji i rëndë i njeriut të detyron të braktisësh bashkëshorten e fëmijët dhe të hidhesh në fushën e betejës për të mbrojtur Babëzinë që qeveritarët e tu, duke gënjyer, e quajnë Detyrë? Je një poet i kënaqur me thërrimet e jetës, i lumtur me pergamenën dhe bojën e vet, i cili jeton si i huaj në vendin e vet, i panjohur nga njerëzit e tij? Je një i burgosur i prangosur në një qeli të errët për ndonjë shkelje të parëndësishme dhe i dënuar nga ata që përpiqen ta ribëjnë njeriun duke e shkatërruar? Je një vashë e re, të cilës Zoti i ka falur dhuntinë e bukurisë, por je viktimë e abuzimit të pasanikut që të mashtroi dhe bleu trupin tënd, por jo zemrën tënde, dhe të braktisi në mjerim e fatkeqësi? Nëse je ndonjëri prej këtyre, atëherë je martir i ligjit të njeriut. Je një fatkeq dhe fatkeqësia jote është fryt i ligësisë së të fortit dhe i padrejtësisë së tiranit, i dhunës së pasanikut dhe egoizmit të të shthururit e të lakmitarit.

Kurajë, të dashurit e mi të vuajtur, sepse pas kësaj bote materiale është një Fuqi e Madhe, një Fuqi, e cila është krejt drejtësi, mëshirë, dhembshuri dhe dashuri!

Ju jeni si një lule që rritet në hije; flladi i lehtë i merr dhe i çon bërthamat tuaja te drita e diellit, ku do të jetoni sërish në bukuri.

Jeni si pema e zhveshur që përkulet nën borën e dimrit. Do të vijë Pranvera dhe do t’ju mbulojë me blerimin e gjallërishëm të teshave të saj! Dhe e Vërteta do ta grisë velin e lotëve që mbulon flladin tonë! Unë po u marr brenda vetes, o vëllezër të pikëlluar, unë ju dua dhe i përbuz shtypësit tuaj!

 

Exit mobile version