Telegrafi

Martinelli blindohet me kontratë afatgjatë nga Arsenali

Klubi anglez, Arsenali ka konfirmuar zyrtarisht rinovimin e kontratës edhe për shumë vite me sulmuesin brazilian, Gabriel Martinelli.

Martinelli është njëri nga lojtarët kryesor të Arsenalit në vitet e fundit e sidomos në sezonin aktual ku janë lider në Ligën Premier.

Paraqitjet e tij të mira kanë bërë që drejtuesit e klubit t’ia rinovojnë kontratën yllit brazilian edhe për shumë vite.

“Gabriel Martinelli ka nënshkruar një kontratë të re me klubin, duke premtuar të ardhmen e tij afatgjatë me ne”.

“21-vjeçari, tani në sezonin e tij të katërt në veri të Londrës, ka bërë tashmë 111 paraqitje në ekipin e parë në të gjitha garat gjatë karrierës së tij plot aksion në Arsenal”, thuhet në njoftim.

Sulmuesi brazilian thuhet se ka nënshkruar një kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027, me mundësi vazhdimi edhe për një vit. /Telegrafi/