Një tjetër natë e paharruar ishte e diela që shënonte edhe natën e tretë dhe të fundit të Festivalit Sunny Hill.
Mijëra fansa ishin mbledhur në parkun e Gërmisë në kryeqytet për ta shijuar nga afër performancën e DJ-it me famë botërore, Martin Garrix.
Holandezi 22-vjeçar ishte angazhuar për t’u kujdesur për atmosferën dhe ai nuk zhgënjeu aspak.
Në disa video që janë publikuar në rrjetet sociale, edhe nga vet fansat, shihet se të pranishmit janë argëtuar tej mase nën tingujt e muzikës së Garrix.
Në konferencën për shtyp para koncertit, holandezi i famshëm ka thënë se është shumë i entuziazmuar që ndodhet për herë të parë në këtë festival dhe mezi priste të performojë para publikut.
DJ-i kishte thënë se nuk ka ditur për Kosovën para se të vinte këtu, pos që ka ditur se kishte këngëtarë që vinin nga ky vend. Ndërsa tash e ka parë se të njerëzit këtu duan të argëtohen, të gjithë janë miqësorë dhe pozitivë.
Festivali Sunny Hill është mbajtur në datat 10, 11 dhe 12 gusht në parku e Gërmisë. Ylli kryesor i festivalit ka qenë Dua Lipa, ndërsa gjatë tri netëve, krahas Garrix, në skenë kanë interpretuar shumë këngëtarë të famshëm dhe vendorë, si Action Bronson, G4shi, MC Kresha, Lyrical Son, Ledri Vula, Gjiko, Tayna e të tjerë. /Telegrafi/