Site icon Telegrafi

Marsi i mbrapshtë dhe misteret rreth tij

Në qetësinë para stuhisë, mesditën me diell të 17 marsit të vitit 2004 për një çast u përmbys gjithçka. Brenda gjysmë ore nisën të vriten qytetarë, të digjen prona, objekte kulti dhe të trashëgimisë kulturore. Në kaosin që përfshiu vendin me shpejtësi marramendëse, u vranë 19 qytetarë – nga të cilët 12 ishin shqiptarë.

Marsi i mbrapshtë dëshmoi se shefat e disa partive politike, nuk meritonin të merrnin përgjegjësi për vendin. Akterë të këtyre trazirave ishin strukturat e partive të tyre, të cilat dhanë mesazh se ne dhe askush tjetër garanton qetësi për të ardhmen e vendit. Kur protektorati ndërkombëtar të përfundonte misionin, pritnin të qeverisnin gjakftohtë me Kosovën si gjahtari prenë.

17 marsi i vitit 2004, ishte dita më ters për Kosovën, më saktë dëshmia më e mirë se e ardhmja e Kosovës për një kohë të gjatë do të ishte e errët.

Në televizionin publik, i cili drejtohej nga një besnik i ish-regjimit jugosllav u dha kryelajmi. U tha se ishin serbët lokalë ata që ua ndërsyen qentë fëmijëve shqiptarë nga Çabra e Mitrovicës. Tre nga këta fëmijë u mbytën në lumin Ibër. Rasti u mbyll nga hetuesit ndërkombëtarë në bashkëpunim me vartësit vendorë si të mos ndodhte kurrë. Asnjëherë u mor vesh kush ishin personat që i mbytën fëmijët në lum dhe kush i ndërseu ata.

Shefat e OKB-së në Kosovë i përplasën Nju Jorkut në fytyrë lojën e radhës. Gjendjen në Kosovë e prezantuan të nderë e kaotike. Me mundësi rreziku të konfliktit ndëretnik, arsyetuan qeverisjen edhe për disa vjet. Realiteti i ri shty edhe shpalljen e pavarësisë së vendit. Ndodhi me vullnetin e partisë politike, e cila katër vjet më vonë erdhi në pushtet. Një reagim sado i vogël i udhëheqjes kosovare, mund të përfundonte keq. Zyrtarët e OKB-së megjithëse pëshpëritnin ndër dhëmbë, veç sa nuk thanë botërisht: “Uleni kokën shkërdhata… Ju kemi shantazhuar!”.

Trazirat lanë plojë djegiesh e shkatërrimesh. Të rënda ishin vrasjet e qytetarëve. Lehtë s’mund të përballoheshin as rrënojat e objekteve të kultit dhe trashëgimisë kulturore.

Dy vjet më vonë, kur udhëheqja kosovare me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar nisi negociatat për pavarësinë e Kosovës në Vjenë, udhëheqja serbe dhe Kisha Ortodokse ringjallën kujet e radhës. Dhanë kumtin makabër për pasigurinë e pakicës serbe në Kosovë.

Administrata ndërkombëtare bëri hapin e radhës. Urdhëroi renovimin e objekteve të shkatërruara nga buxheti i taksapaguesve të varfër kosovarë. Ishte rasti më i mirë që qeveritarët e servilosur vendorë t’i zhvatnin milionat. Në planin politik u sajua loja e radhës, për kinse rikthimin e besimit të humbur ndëretnik. Urdhri i ndërkombëtarëve që me shpejtësi të sanohen pasojat e trazirave, t’i kujton skenat e krimit kur njësiti i forenzikës ende pa u larguar, thërret atë të zjarrfikësve t’i shpëlajë njollat e gjakut.

Kur Kosova u katandis në udhë pa krye, administratorët ndërkombëtarë bënë lojën e radhës. Me pretekst se ndjeheshin të pasigurt, planifikuan ikjen nga Kosova. Ikja u planifikua të ndodhte nga Aeroporti i Shkupit. U frikësuan se qytetarët mund t’i vërshonin rrugët dhe të klithnin: Mjaft më!

Rasti është mbret i kohës. Përkrah ngjarjeve të cilave nuk u shihej koka, u aktivizuan shërbime të ndryshme inteligjente, por më i fuqishmi ishte shërbimi sekret serb. Sigurimsat shqiptarë e serbë u bashkuan si dikur nën akronimin UDB. Në vend se të ndëshkoheshin për të kaluarën e tyre, salutonin si fitimtarë të luftës së fundit në Kosovë.

Më shumë se ndërkombëtarët, fajtorë ishin vendorët. Liderët kosovarë shpërfaqën mendësinë e robit. Më për zemër i patën strukturat e ish-nomenklaturës komuniste dhe kontingjentin e madh të ish-sigurimsave, se shqiptarët e dinjitetshëm, të cilët dhanë gjithçka për vendin. Një fakt as hidhet, as falet kurrë. Në mendësinë kolektive të shqiptarëve u ngulit ideja: Një shtet i këtillë me klounë përbrenda s’na duhet asgjë.

Trazirat e marsit të vitit 2004, ishin pjellë e marrëveshjes midis elementeve radikale e kriminale në Kosovë, të koordinuara me shërbimet sekrete serbe. Qëllimi ishte i qartë: të ndahej Kosova. Ndarja nuk ndodhi falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të saj.

Pas trazirave të përgjakshme u përshpejtua zgjidhja e statusit të Kosovës, por zgjidhja u kërkua duke i marrë në konsideratë interesat serbe dhe duke injoruar shumicën shqiptare në Kosovë. Pjesa e konsiderueshme e përmbajtjes së Planit Ahtisaari i dedikohej pakicës serbe.

Protektorati ndërkombëtar më shumë se qeverisjes i ngjante kaosit. Midis zyrtarëve të OKB-së dhe shqiptarëve të nënshtruar u bë marrëveshja për plaçkitjen e madhe. Nën protektorat ndërkombëtar u disejnuan ngrehinat e kaosit, trafikimit me drogë e qenie njerëzore, pasigurisë, shpëlarjes së parave, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha mund të sfidoheshin për njëfarë kohe, por më e rënda qe shpëlarja e trurit. Shqiptarët u bënë viktima midis palëve në planin nacional dhe shënjestër eksperimentesh në planin ndërkombëtar.

Zyrtarët ndërkombëtarë me pretekst të përgatitjes së ekspertëve vendorë, trajnuan këta të fundit jo për të qeverisur, por për të gjymtuar vendin e tyre. Pasojat e trajnimeve, të cilat u ngjasonin dresimeve, Kosova do t’i vuajë edhe një kohë të gjatë. Shqiptarët e lodhur nga okupimi i gjatë, ranë pre lojërash e shantazhesh. Kosova nuk pati nevojë për mijëra administratorë nga të gjitha kontinentet. Kishte nevojë për siguri të kufijve dhe ndihma emergjente.

Dikur pjesë konstituive e ish-Federatës jugosllave, shqiptarët kishin më shumë traditë për të qeverisur vendin se qindra zyrtarë të OKB-së me origjinë nga vendet më të pazhvilluara në botë. Më keq se kjo, administratorët afro-aziatikë instaluan islamin politik. Qindra organizata qeveritare e joqeveritare zbarkuan në Kosovë. Nën ombrellën humanitare dhe të ndihmave emergjente, operuan shërbimet inteligjente prej nga e kishin origjinën.

Mungesa e vullnetit për kontroll nga vinin paratë dhe kë e financonin e shndërruan Kosovën në oazë të shpëlarjes së parasë dhe trurit. Mjetet financiare që vërshuan nga shtetet e Lindjes, u menaxhuan nga përfaqësues të islamit politik. Në vendin e shkatërruar nga lufta, në të cilin më shumë se gjithçka kishte nevojë për shtëpi banimi, spitale e shkolla, nisën të ndërtohen objekte kulti pa sqaruar kush është titullari. Strukturat e inteligjencës dhe sigurisë, më shumë se të merreshin me to bënin veshin e shurdhër. Një popull që e ndolli Evropën me shekuj, nisi të kërcënohej sërish nga terri aziatik. Me mungesë të organeve të sigurisë në fillim, më vonë të ngritura dhe të kontrolluara nga zyrtarët e OKB-së, Kosova nisi të rrëshqas drejtë pasigurisë kolektive.

Trazirat e marsit të vitit 2004, nuk ishin leksion as për udhëheqjen e Kosovës, as për atë të Brukselit. Ky i fundit, përsëriti gabimet. Ashtu siç vendosi Standardet para Statusit, njësoj vendosi kushte të papërballueshme për liberalizim të vizave.

Flej dath! Ky ishte teksti i një panoje mbas luftës në Kosovë. Autori anonim për të ngulitur fjalinë në trurin e qytetarëve, tekstin pervers e shkruajti në dialektin gegë. Panoja jetoi aq sa qeverisi Organizata e Kombeve të Bashkuara. Kjo e fundit na solli në situatën e një panoje, teksti i së cilës nuk u shkrua kurrë. Slogani i saj mund të ishte: Fjet ju kemi zbathur!

Exit mobile version