Protestat kundër qeverisë në Hong Kong janë përfshirë sërish nga dhuna, pasi policia ka përdorur topa uji dhe të paktën një zyrtar policor ka qëlluar me armë zjarri në ajër, në shenjë paralajmërimi gjatë përleshjes.
Gjatë fundjavës janë arrestuar 65 persona në zonën Tsuen Wan, pasi marshi protestues është kthyer në betejë në një park të afërt.
Në mesin e të arrestuarve ka qenë edhe një 12-vjeçar.
Një grup i protestuesve të linjës së ashpër është parë duke sulmuar zyrtarët me shkopinj, teksa marshet pro-demoratike kanë hyrë në javën e 12-të.
Tubimet kanë nisur më 9 qershor, në shenjë pakënaqësie ndaj një projektligji që parashihte ekstradimin e banorëve të Hong Kongut në Kinë. Nga ajo kohë, janë arrestuar 830 persona.
Shefja ekzekutive e këtij rajoni, Carrie Lam, ka thënë se projektligji për ekstradim ka vdekur, mirëpo ka refuzuar që edhe zyrtarisht ta tërheqë atë, apo të japë dorëheqje.
Ndërkohë janë rritur kërkesat e protestuesve.
Shumica prej tyre dëshirojnë të realizohet reforma zgjedhore, të cilën e kundërshton Kina, si dhe të shfrytëzojnë liritë dhe të drejtat e përcaktuara nën organizimin, “një shtet, dy sisteme”.
Qeveria kineze ka dënuar ashpër protestat, duke i konsideruar ato “të ngjashme me terrorizëm”. /rel/