Institucioni i Avokatit të Popullit në bashkëpunim me organizatat joqeveritare dhe shoqërinë civile të Kosovës kanë ndërmarrë iniciativën e përbashkët për shënimin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Aktiviteti “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, ka për qëllim dërgimin e një mesazhi të fuqishëm për angazhimin e shtuar, gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
Aktiviteti do të mbahet të hënën, me fillim prej orës 10:30, në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë, ku do të diskutohet për të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të rinjve, për të drejtat e gruas, të drejtat e të moshuarve, të drejtat e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptas, të drejtat e komunitetit LGBTI dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Ndërsa nga ora 12:00 aktiviteti vazhdon me marshin “Çohu për të Drejtat e Njeriut”, i cili fillon nga sheshi “Skënderbeu” deri te sheshi “Zahir Pajaziti”.