Në Prishtinë u mbajt një marsh në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Marshi i kanë prirë dy të mbijetuarat, Vasfije Krasniqi dhe Shyrete Sulimani, pastaj ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe drejtoresha e Qendrës Rehabilituese për të Mbijetuarit e Torturës, Feride Rushiti.
Në përfundim të marshit do të prezantohet edhe instalacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tani zyrtarisht njihet si Dita e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës.
Zyrtarizmi i 14 prillit si Ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale nga koha e luftës, është bërë në mbledhjen e mbajtur ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.
Osmani kishte theksuar se ky vendim do t’i kontribuojë ruajtjes së memories kolektive, ndërsa ka përmendur nevojën e solidarizimit me të mbijetuarit e dhunës seksuale.