Ministrja e Integrimit të Shqipërisë në BE, Klajda Gjosha do të zhvillojë sot një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të këtij shteti. Takimi i parë është planifikuar me këshilltaren e kryeministrit Lesleyd’Huy. Në vijim do të zhvillohet një takim në Senat me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane.
Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha, së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri, do të raportojnë dhe dëshmojnë për reformat e ndërmarra deri tani, si dhe planin konkret të masave që qeveria po vë në zbatim për plotësimin e 5 prioriteteve kyçe të lëna nga Komisioni, duke u përqendruar sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjatë vizitës në Holandë, ministrat do të marrin pjesë në një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar për Çështje të Bashkimit Europian, ku do të tregojnë konkretisht punën e qeverisë, si dhe vullnetin e vizionin e saj , ku procesi integrimit mbetet një nga prioritetet më madhore. Qëllimi i kësaj vizite, veç dëshmisë reale për progresin që ka bërë vendi është edhe përmirësimi i imazhit të Shqipërisë,mjaft i rëndësishëm në një kohë kur vetëm pak ditë na ndajnë nga vendimi për statusin.
Gjatë turit të takimeve të zhvilluara në Francë, Bruksel, Suedi dhe shtete të tjera, delegacioni shqiptar i ministrave ka marrë vlerësime mjaft pozitive, çka shpresohet të ndodhë edhe në këtë vizitë. /Telegrafi/