Site icon Telegrafi

Marrëveshje Shqipëri-Kosovë-Kroaci, Vengu: Angazhimi për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, më i fortë se kurrë

Ministri shqiptar i Mbrojtjes Pirro Vengu, ai i Kroacisë Ivan Anushi dhe homologu i Kosovës Ejup Maqedonci kanë nënshkruar sot në Tiranë një marrëveshje tripalëshe ushtarake që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tre vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tri vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.

Ky zhvillim strategjik pasqyron aleancën e ngushtë mes tri shteteve, të lidhura nga historia, sakrificat për liri dhe një vizion i përbashkët për një të ardhme të sigurt.

“Kemi një vlerësim të përbashkët të kërcënimeve në një mjedis sigurie të brishtë. Në këtë kontekst, angazhimi ynë për zhvillimin e kapaciteteve tona mbrojtëse, është më i fortë se kurrë”, theksoi ministri Vengu.

Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike.

Ministrat Anušić dhe Maqedonci e vlerësuan këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, si dhe për zhvillimin e kapaciteteve në përballimin e rreziqeve dhe sfidave të përbashkëta.

Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Maqedonci tha gjatë konferencës për shtyp se kjo marrëveshje është finalizim i përpjekjes një vjeçare që çoi në prodhimin e një deklarate tripalëshe që i hap rrugë bashkëpunimit mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, u shpreh se “ky dokument hap rrugë edhe për bashkëpunime të ndryshme, në fusha të ndryshme, për t’u përballur me kërcënimet moderne siç janë ato hibride”.

“E vlerësoj këtë marrëveshje si një angazhim të përbashkët, që ndodh jo shpesh në rajon. Kemi një deklaratë ndër të parat që është bërë në fushën trilaterale dhe që hap rrugë për vende të tjera që t’i bashkëngjiten kësaj nisme për paqe, stabilitet dhe më shumë siguri”, tha Maqedonci. /Telegrafi/

Exit mobile version