Site icon Telegrafi

Marrëveshje për shkëmbimin e kadetëve mes Kosovës dhe Kanadasë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi për shkëmbimin e kadetëve mes Qendrës për Studime Universitare të FSK-së dhe Kolegjit Ushtarak Mbretëror Saint-Jean të Kanadasë.

Sipas njoftimit të FSK-së, marrëveshja e nënshkruar mundëson bashkëpunimin mes dy akademive në shkëmbim reciprok të kadetëve në kuadër të semestrave dhe viteve akademike.

“Si rezultat i kësaj nga semestri i dytë i vitit akademik 2024/2025 do të ndodhin shkëmbimet e para në mes të dy akademive reciproke”, theksohet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Tutje në njoftim thuhet se kjo marrëveshje do të ofrojë mundësi të zhvillimit të kadetëve të FSK-së, përparimin e mëtejmë të programit profesional “Nëntoger në Forcat e Armatosura” dhe rritjes së ndërverprueshmërisë së FSK-së.

“Nga fillimi i vitit 2025 kadetët e FSK-së do të kenë mundësi që të ndjekin studimet për një semestër në Kanada dhe të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre nga Kanadaja dhe anasjelltas”, thuhet në  njoftim.

Gjithashtu u tregua se si prioritet i komandantit të FSK-së, gjeneral Jasharit, ofrimi i mundësive ndërkombëtare për QSU-në si dhe programeve të shkëmbimit të kadetëve synon rritjen e cilësisë së edukimit ushtarak dhe profesionalizmin e kadetëve si dhe oficerëve të Forcës së Sigurisë.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, sipas FSK-së, është domethënëse pasi që mundëson që kultura e bashkëpunimit në shtete aleate të kultivohet qysh herët në fillet e karrierës ushtarake si kadetë. /Telegrafi/

Exit mobile version