Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë më tepër i ngjanë një tentim marrëveshjeje ose “Marrëveshje për lirinë e lëvizjes me kufizime”, sepse pak ditë pas arritjes së kësaj marrëveshje po del që Republika e Serbisë është ajo që nuk po i përmbahet kësaj marrëveshje, apo në fakt që të dy republikat janë marrë vesh kështu siç edhe po ndodhë në realitet, pra të ketë një tentim marrëveshje!
Analizuar edhe nga vet shprehja – termi marrëveshje (shih fjalorin e Gjuhës së sotme shqipe, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2002) del se ka një kuptim dhe qëllim krejt tjetër nga realiteti praktik dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë në një situatë ku nuk po dinë si të veprojnë, të sillen në mënyrë të njëjtë sikurse Republika Serbe ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, apo të vazhdojnë së zbatuari “marrëveshjen – konkluzë për lirinë e lëvizjes së kufizuar” e cila për garantues ka Brukselin.
Liria e lëvizjes e kufizuar!
Marrëveshjet si të tilla lënë të kuptojnë se lidhën ndërmjet shteteve/palëve për të realizuar një interes të përbashkët, por tek rasti i arritjes së “Marrëveshjes për lëvizjen e lirë” ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë me ndërmjetësim të Burkselit po na del se janë duke u realizuar interesa të kundërta dhe praktikisht nuk po i ngjanë një marrëveshjeje për çka në fakt opinioni kosovar ka pritur dhe po pret, në këtë aspekt një pjesë të përgjegjësisë e bartë edhe vet Brukseli.
Liria e lëvizjes ka rëndësi të madhe në shtetet bashkëkohore dhe demokratike dhe është një nga parametrat kryesorë të zhvillimit të shteteve moderne. Teorikisht kjo ka filluar të kuptohet mirë edhe nga faktori politik në rajonin e Ballkanit gjegjësisht në Republikën e Kosovës dhe Serbisë. Çdo marrëveshje apo konkluzion është e mirëseardhur për qytetarët e të dyja shteteve dhe qëllimi kryesor i çdo marrëveshje është të rregullohet një çështje apo një sferë e caktuar për shtetasit e të dyja palëve dhe askush nuk duhet të jetë kundër asaj që të bisedohet me të gjitha shtetet fqinje për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve dhe janë inters kryesor i tyre.
Lëndë e kësaj marrëveshjeje është liria e lëvizjes (dokumentet përcjellëse me rastin e kalimit të kufirit) të qytetarëve nga të dyja palët dhe kjo është një plus i madh për qytetarët sepse tani kanë mundësi që të enden nga të dyja anët e kufirit duke i vizituar të afërmit e tyre, familjarët, shoqërinë, për të kryer punë biznesore, sportive, kulturore, administrative etj.
Në aspektin politik është një marrëveshje e mirë sepse shpreh vullnetin politik të institucioneve tona për t’i zgjidhur problemet me shtetet fqinje përmes tavolinës gjegjësisht “mjeteve paqësore” dhe në këtë drejtim shteti i Kosovës ka traditë të mirë dhe ka ditur ta kombinojë atë se kur nuk i kanë zgjidhur problemet me mjete paqësore atëherë edhe janë vetëmbrojtur përmes “organizimeve guerile ushtarake”.
Nga faktori ndërkombëtar kjo është vlerësuar mirë dhe ashtu është, por qytetarët janë ata të cilët po përballen me procedurat burokratike për kalimin e kufirit sepse secili që hyn në Republikën e Serbisë e është shtetas i Republikës së Kosovës duhet të ketë me vete dokument identifikimi letërnjoftimin e Republikës së Kosovës (pasaporta nuk vlen për ta kaluar kufirin sepse është dokument që dëshmon shtetësinë) për tu pajisur me një dokument i cili quhet dokument “HYRJE-DALJE” në mënyrë që t’i zhvlerësojmë dokumentet e identifikimit, anasjelltas vlen edhe për qytetarët e Serbisë të cilët hyjnë në Republikën e Kosovës pas masave të drejta të reciprocitetit që i ka vendosur Republika e Kosovës.
Si shembull hipotetik mund të jetë: paramendojeni një familje kosovare katër anëtarëshe të cilët jetojnë dhe punojnë në botën perëndimore dhe planifikojnë të vijnë për pushime (verore dhe dimërore) në vendin e tyre në Kosovë dhe kalojnë nëpër Serbi. Prindërit kanë dokumente identifikimi – letërnjoftime ndërsa fëmijët jo, atëherë prindërit janë të obliguar që fëmijët e tyre t’i përcjellin me aeroplan për në Republikën e Kosovës, e vet të vijnë me veturë ashtu si e kanë planifikuar.
Pjesë e marrëveshjes janë edhe tabelat e regjistrimit të veturave të dyja shteteve ku pala serbe nuk pranon që në Serbi të kalojnë veturat kosovare me targa të reja RKS, ndërsa në Kosovë lejohet që të veprojnë veturat e qytetarëve serbë me targa të reja RS, e ajo çka është më e papranueshme është se ende nuk është nxjerrë një vendim nga qeveria e Kosovës që ndalon veturat e serbëve të Kosovës me tabela të vjetra të ish sistemit siç janë: GL, PR, UR,PZ etj.
Plusi i kësaj marrëveshje – konkluzioni
Është se të gjitha veturat serbe të cilat hyjnë në Kosovë duhet të paguajnë taksën për sigurim të veturave që hyjnë në Republikën e Kosovës ngase kjo vlen edhe për veturat kosovare që hyjnë në Serbi, por ata të cilët kanë përfituar nga kjo janë serbët kosovarë të cilët ende i kanë veturat me targa të vjetra të ish sistemit si rezultat i asaj se ende qeveria nuk i ka ndaluar këto targa.
Minusi i kësaj marrëveshje – konkluzioni
Janë shqiptarët e Luginës së Preshevës gjegjësisht të gjithë ata shqiptarë të cilët jetojnë në Serbi, sepse atyre tashme ardhja në Republikën e Kosovës ju kushton financiarisht në pagesën e taksës për sigurim të veturave një pagesë e cila nuk është edhe e lirë ngase për dy javë kushton 60 euro.
Shembull: paramendojeni se një student (nga Kosova Lindore) shqiptarë që studion në Universitetin e Prishtinës dhe shkon me veturë në Prishtinë atëherë ai duhet të llogaritë se duhet të paguajë për dy javë për sigurim të veturës çmimin aq sa ai paguan konviktin (strehimin) dhe ushqimin e kjo është e papranueshme, por llogaritni shtresat tjera të shoqërisë siç janë: prindërit kur vizitojnë fëmijët e tyre që kanë themeluar familje në Kosovë e sidomos në rajonin e Gjilanit, kur fëmijët vizitojnë prindërit e tyre, familjet e burrit dhe anasjelltas të gruas, shoqërinë, të afërmit kushërit etj.
Presioni institucional
Obligim moral i institucioneve tona është që të bëjë presion demokratik tek faktorët ndërkombëtare (USA – Washingtoni dhe BE – Brukseli) që ata të ndikojnë tek qeveritarët serbë për lehtësimin e procedurave të kalimit të kufirit me Serbinë në të paktën tri çështje të cilat kanë dalë nga kjo marrëveshje – konkluzë:
1. Të bëhet kalimi i kufirit me pasaporta nga të dyja anët e kufirit (ngase pasaporta është dokument që tregon shtetësinë)
2. Targat RKS të vlejnë në tërë territorin e Serbisë dhe anasjelltas (ose edhe Republika e Kosovës të vendos reciprocitet në tabelat RS dhe të merr vendim urgjent t’i ndalojë tabelat e vjetra të ish sistemit GL, PR, PZ, UR, etj.
3. Të hiqen pagesat e larta për sigurim të veturave për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe Serbisë (sidomos për shqiptarët e Luginës së Preshevës).
(Burim Haliti ka thirrjen shkencore Master i shkencave juridike – financiare.
Flamur Hyseni është asistent në Katedrën e shkencave Kushtetuese – Administrative në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës)