Marrëveshje për Ligjin për Prokurorinë Publike nuk ka, por edhe pushteti edhe opozita do t’i vazhdojnë konsultimet për harmonizimin e qëndrimeve për zgjidhjen ligjore, me të cilat duhet të zgjidhet edhe statusi i PSP-së.
Në Kuvend dje pasdite vazhduan konsultimet mes grupeve të punës së pushtetit dhe opozitës. Sipas zëvendësministrit të Drejtësisë Oliver Ristovski, dallimet kryesore mbesin rreth statusit të prokurorëve të PSP-së dhe lëndët të cilat janë në procedurë gjyqësore.
Ndërkohë mbështetje për funksionimin e shtetit ligjor erdh edhe nga Mathew Palmer, i dërguar special i SHBA-së për Ballkanin, në takimin e margjinave të Forumit strategjik të Bredit me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov dhe ministren e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska.
“Shteti juridik duhet të funksionojë, ndërsa koha e lojërave dhe tentimeve partiake që të shmanget përgjegjësia ka përfunduar. Vendi i Maqedonisë së Veriut është në NATO dhe në BE”, nënvizoi Palmer në takim.
Sipas afateve të shkurtuara Ligji i PP pritet të miratohet më së voni deri më 15 shtator. Që të miratohet nevojitet shumicë prej dy të tretave, ndërsa miratimi i tij është kyç edhe për eurointegrimet e vendit.
Në Kuvend dje u anulua seanca e Komisionit Ligjvënës-Juridik, në të cilën duhej të debatohej për Ligjin për prokurorinë publike, me flamur evropian me procedurë të shkurtër, në lexim të dytë. Është e pasigurt se kur ligji do të gjendet edhe para Komisionit për Çështje Evropiane, i cili të enjten miratoi dhjetë prej gjithsej 51 amendamenteve të dorëzuara për propozim ligjin.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dje e dorëzoi raportin e Këshillit të Prokurorëve Publikë për shkarkimin e prokurores speciale publike Katica Janeva deri te kryetari i Komisionit kuvendor për Zgjedhje dhe Emërime Ilija Dimovski, informojnë nga Kuvendi.
Sipas procedurës kuvendore Dimovski, tani duhet të caktojë seancë në të cilën do të vendoset për shkarkimin e Janevës. Komisioni do të duhet të vendosë se a do të jetë seanca e hapur për publikun ose pas dyerve të mbyllura.
Sipas Rregullores kuvendore pasi përfundoi debati i Komisionit, kryetari i Kuvendit do të duhet të thirr seancë plenare për shkarkimin e Janevës. Vendimin final të deputetëve do të duhet në fund ta konfirmojë edhe Këshilli i Prokurorëve.