Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ambasadori i SHBA në Kosovë, Greg Delawie, nënshkruan sot marrëveshjen e ekstradimit midis Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa, Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, Ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve të vendit.
Në një deklaratë bërë me këtë rast, presidentja Jahjaga tha “sot me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruam marrëveshjen bilaterale të ekstradimit. Marrëveshja, përpos që shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, nënvizon përcaktimin tonë për sundim të rendit dhe ligjit në Kosovë dhe për bashkëpunim të pa rezervë me partnerët tanë në këtë aspek”.
Ajo tha se deri më tani, përkundër bashkëpunimit të ngushtë me autoritetet amerikane në fushën e sigurisë, mungesa e kësaj marrëveshjeje të ekstradimit ka qenë pengesë ligjore për përmbyllje të suksesshme të rasteve.
“Me këtë marrëveshje të nënshkruar sot Kosova dhe SHBA-të, përpos që forcojnë partneritetin dhe përcaktimin për rend dhe ligj, dy shtetet garantojnë që kriminelët që paraqesin rrezik për rendin dhe sigurinë e qytetarëve të vendeve tona do të ndiqen dhe do të vihen para drejtësisë. Republika e Kosovës do të vazhdojë të vihet në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, tha Jahjaga.
Ndërkaq, ambasador Delawie, e ritheksoi se Kosova do të jetë partner kredibil i Shteteve të Bashkuara dhe i vjen mirë që gjatë mandatit të tij kanë arritur ta thellojnë këtë partneritet dhe miqësi si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në procese tjera bilaterale. /Telegrafi/