Site icon Telegrafi

Marrëveshje ndërmjet SHBA-së dhe Emirateve për armatim – kushti është që aeroplanët të jenë “më të dobët” se të Izraelit

Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe shpresojnë që të kenë një marrëveshje fillestare mbi shitjen e avionëve luftarakë F-35 në shtetin e Gjirit në dhjetor, ndërsa administrata e Donald Trump studion se si të strukturojë një marrëveshje pa rënë “në mosmarrëveshje” me Izraelin.

Burime pranë negociatave thanë se qëllimi është që të ketë një letër marrëveshje në kohë për Ditën Kombëtare të Emirateve të Bashkuara Arabe që festohet në 2 dhjetor, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

Çdo marrëveshje duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet prej dekadash me Izraelin sipas të cilave çdo armë amerikane e shitur në rajon nuk duhet të dëmtojë “avantazhin cilësor ushtarak” të Izraelit, duke garantuar se armët amerikane me të cilat furnizohet Izraeli janë “superiore në aftësi” nga ato të shitura fqinjëve të saj.

Duke pasur këtë në mendje Uashingtoni po studion mënyra për ta bërë Lockheed Martin Corp F-35 më të dukshëm për sistemet e radarëve izraelitë, thanë dy burime.

Reuters shkruan se nuk mund të përcaktojë nëse kjo do të bëhej duke ndryshuar avionin ose duke i dhënë Izraelit radar më të mirë, ndër mundësitë e tjera.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz, pritej të takonte homologun e tij amerikan Mark Esper në Uashington të martën.

Ambasada e Emirateve të Bashkuara Arabe në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë, gjithashtu.

Një zëdhënëse e Pentagonit i tha Reuters, “si një çështje politike, Shtetet e Bashkuara nuk konfirmojnë ose komentojnë mbi shitjet ose transferimet e propozuara të mbrojtjes derisa të njoftohen zyrtarisht në Kongres”. /Telegrafi/

Exit mobile version