Dy ministrat vlerësuan se nënshkrimi i kësaj marrëveshje i hap rrugë intensifikimit të bashkëpunimit midis dy shteteve, duke pasuar parasysh se Kosova dhe Maqedonia kanë interesa të përbashkëta edhe në fushën e shëndetësisë.
Sipas kësaj marrëveshjeje, dy shtetet zotohen se do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën e shëndetësisë, duke qenë se sfidat e këtij sektori janë pothuaj të njëjta, tha ministri Bukoshi.
I bindur se dy shtetet do ta respektojnë marrëveshjen, Bukoshi shprehu përkushtimin e MSH-së që të bashkëpunojë ngushtë, ndërsa përvoja, theksoi ai, tregon se të dy shtetet kanë shumë për të këmbyer në fushën e shëndetësisë dhe medicinës.
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Bujar Osmani, tha se marrëveshja është shumë e rëndësishme dhe ajo vendos bazat për një bashkëpunim të qëndrueshëm në fushën e shëndetësisë.
Marrëveshja e nënshkruar i obligon dy ministritë që të bashkëpunojnë në shkëmbimin e informatave në lëmin e shëndetësisë, shkëmbimin e stafit mjekësor , kontaktet midis Fakulteteve të Mjekësisë, Odave të Mjekësisë dhe institucioneve të tjera shëndetësore, zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e ligjëruesve, format e bashkëpunimit në mjekësi të përgjithshme, farmaci, stomatologji, shkencat mjekësore etj. /Telegrafi/