Site icon Telegrafi

Marrëveshja Thaçi-Daçiq është Plani gjashtëpikësh i Ban Ki-moonit

Duke e përcjellë sagën e negociatave Thaçi-Daçiq, po më bie ndërmend koha kur u shpall pavarësia e Kosovës dhe qershori i viti 2008, atëherë kur Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i dërgoi dy letra: njërën Shkëlqesisë së Tij dr. Sejdiut (pra jo presidentit Sejdiu) dhe tjetrën presidentit të Serbisë, z. Tadiq. Në mes tjerave, Ban shkruante se “planin e tij për rinegociimin në gjashtë fusha: polici, dogana, drejtësi, kufij, telekomunikacion dhe infrastrukturë, si dhe trashëgiminë serbe… e kishte hartuar duke pasur parasysh realitetin e ri në Kosovë”.

Deri tani, siç dihet, kanë mbetur të rinegociohet veç për fushën e telekomunikacionit dhe infrastrukturën, sepse tashmë janë arritur marrëveshjet për policinë dhe drejtësinë, derisa kohë më parë janë arritur marrëveshjet për doganat, kufijtë dhe trashëgiminë serbe.

Atëherë më pati lënë shumë përshtypje sesi disa “analistë” dhe politikanë, fare pa e lexuar atë letër, e pranuan dhe duartrokitën si “plan që i adreson problemet e Kosovës duke ia ruajtur sovranitetin asaj”. Bile z. Lulzim Peci (i cili për koincidencë apo ndryshe sot është “ambasador” i Kosovës në Beograd), si udhëheqës i “Kipred”, doli në TV e përshëndeti “Letrën e Banit” si “mirë të balancuar e cila i kënaq të dy palët”.

Më 17 shkurt (2008), derisa shqiptarët dhe minoritetet joserbe e festonin shpalljen e pavarësisë, ditë për të cilën shumë gjenerata ishin flijuar, enklavat serbe i vizitonte një delegacion i madh qeveritar nga Serbia. Delegacioni udhëhiqej nga ish zv.kryeministri Bozhidar Gjeliq, i cili për detyrë kishte që serbët e “Kosmetit” t’i sigurojë se “Serbia asnjëherë nuk do t’i braktisë ata, dhe se ata gjithmonë mund të llogarisin në Serbinë, sepse ajo kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës”. Si dhe t’ju japin udhëzime se si të funksionojnë enklavat “në situatën e re”.

Gjeliqi me ish ministrin e Arsimit, Zoran Lonqar, dhe disa deputetë të Kuvendit të Serbisë, shkuan në Shtërpcë, gjersa ish-ministri për Kosovë dhe Metohi, Slobodan Samargjiq, me sekretarin e tij Dushan Prorokoviq dhe zëvendësin e tij Vuko Antonijeviq, vizituan Mitrovicën e Veriut. Në Graqanicë ishte ish-ministri për Infrastrukturë Velimir Iliq, me bashkëpunëtorin e tij Mlagjen Gjorgjeviq, dhe disa deputetë. Në Novobërdë zv.ministri për Kosovë dhe Metohi, Lubomir Klakiq, i shoqëruar me një grup deputetësh. Në Ranillug ishte ish-ministri i Energjisë dhe Minierave, Aleksandar Popoviq, me disa deputetë. Po ashtu, atë ditë në Kosovë ishte edhe ish-ministri për Religjion, Radomir Naumov, dhe disa zv.ministra tjerë. Kurse, dy ditë më vonë, ministri i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, deklaron se “Serbia e ka planin për rrëzimin e shtetit të Kosovës” dhe pas disa ditëve qeveria serbe propozon “ndarjen funksionale të Kosovës”.

Intensiteti i aktiviteteve antipavarësi të Serbisë sa kalonte koha shtohej, sidomos gjatë fushatës elektorale, kur u publikua lajmi se zgjedhjet lokale, të 11 majit, do të mbahen edhe në Kosovë.

Reagimi i institucioneve kosovare ishte shumë i zbehtë. Sidomos në kujtesë më ka mbetur edhe 26 maji, sepse duke shfletuar ueb-faqen e B92 dhe qeverisë së Serbisë, e lexova deklaratën e Samargjiqit, të deklaruar në Graçanicë, se “më së voni brenda 10 ditëve do të formohen kuvendet komunale, në ato komuna të Kosmetit, ku serbët, me 11 maj (2008), kanë votuar në zgjedhjet lokale, sepse është shumë e rëndësishme që të krijohen kuvendet komunale dhe këshillat ekzekutiv – trupa të cilat do ta marrin qeverisjen e re lokale”. I trazuar nga ajo se çka lexoja, u përgatita që në seancën e radhës (2 qershor) ta fus në rend të ditës diskutimin për strukturat paralele.

Një gjë të tillë e kërkova por nuk u pranua për shkak të procedurave. Prandaj, vendosa ta bëj një pyetje parlamentare me qëllim të aktualizimit të çështjes. Përgjigjja nga Qeveria ishte si zakonisht e “balancuar”. Sidoqoftë, atë ditë konform procedurave, e përgatita edhe tekstin për mocion (për seancën e radhës) me qëllim të marrjes së gjashtë nënshkrimeve (nga deputetët) të domosdoshme për ta iniciuar çështjen. Bashkë me një mik timin e hartuam tekstin e Rezolutës së mundshme për strukturat paralele. Isha shumë i kujdesshëm që teksti të shkruhet me fjalë të buta (por, plotëkuptimta) me qëllim që të mos “trembet Kryesia e Kuvendit”.

Seanca e rregullt e radhës u planifikua më 19 qershor, gjersa siç dihet në ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së i dërgoi “dy letrat e famshme”, ku në mes tjerave z. Ban Ki-moon shkruante se “planin e tij e kishte hartuar duke pasur parasysh realitetin e ri në Kosovë: shpalljen e pavarësisë (17 shkurtin) dhe trazirat në veri të Kosovës dhe ‘territoret e banuara me shumicë serbe’, si dhe miratimin e Kushtetutës dhe zgjedhjet e 11 majit”. U tmerrova kur e lexova. Thashë me vete: prej kur “zgjedhjet ilegale të 11 majit” u shndërruan në “zgjedhjet e 11 majit”. A s’e dinte Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së se institucioni që sundonte Kosovën në emër të tij (pra PSSP-ja) ato zgjedhje i pati shpallur ilegale? Pastaj, prej kur “dhuna dhe vandalizmi në veri të Kosovës dhe enklava”, siç i klasifikoi UNIMK-u, u shndërruan në “trazirat në veri të Kosovës dhe territoret e banuara me shumicë serbe”. Thashë se kjo nuk është asgjë tjetër veçse “ratifikim i strukturave paralele”. Kot e kisha unë të përpiloja rezolutë për strukturat paralele kur ato Ban Ki-mooni veç i zyrtarizoi edhe atë pa kurrfarë rezistence nga kosovarët.

Nuk mund t’i kuptoja “ri-negociatat për gjashtë fusha”. Nuk dija se çka ka mbetur për t’u negociuar në ato fusha kur veç decentralizimin e kishim bërë pikërisht për këto fusha. Nuk mund t’i kuptoja se cilat janë ato çështje teknike për të cilat niveli më i lartë qeveritar negocion!? Për aq sa dija unë, nivelet e larta negociojnë gjëra madhore – strategjike – kurse për gjëra teknike – operacionale – bisedojnë nivelet e ulëta. Nuk kuptoja se për cilat gjëra teknike do të bisedojnë Sejdiu me Tadiqin apo Thaçi me Cvetkoviqin?!

Andaj, e përgatita mocionin për Planin e Banit, por problemi ishte se nuk mund t’i gjeja “gjokset” për ta nënshkruar, sepse në momentin e fundit e tërhiqnin nënshkrimin e tyre në mënyrë misterioze. Kot u mundova tri herë që ta fus për debat atë plan në Kuvend. Disa arsyetoheshin se kanë “sugjerime” nga kancelaritë e huaja që të mos e nënshkruajnë, e disa letrarë e historianë (po t’ua vija veshin) me seriozitetin ma të madh më mbanin derse politike – si politikanë të rryer (serioziteti i tyre shihej nga mrrolet në ballë) “se çka është për momentin në interes tonin kombëtar e çka jo”, e demagogji të ngjashme.

Por, me kohë, nga presioni i disa OJQ-ve (ku me theks të veçantë duhet përmendur Lëvizjen Vetëvendosje dhe organizatën antikorrupsion “Çohu”) u fillua të kritikohet “Plani gjashtëpikësh”.

Dhe, edhe ata politikanë që “ligjëronin se prishja e marrëdhënieve me aleatët tanë nuk është në interesin kombëtar”, kur e panë se atyre që e kundërshtuan atë plan që nga fillimi asgjë e keqe nuk i ndodhi, edhe ata filluan ta kritikojnë. Ashtu që kah nëntori i vitit 2008 u bë modë që të “kritikohej ashpër” ai plan dhe të hidhej poshtë. Bile Qeveria e Kosovës (dhe jo vetëm z. Thaçi) dhjetëra herë publikisht deklaruan se “Plani gjashtëpikësh është i vdekur, nuk ka më negociata për kompromise tjera. Dokumenti i Ahtisarit e rregullon më së miri çështjen e minoriteteve”.

Por, problemi ishte se këto kritika dhe deklarata jepeshin për konsum të brendshëm, sepse më 26 nëntor (2008) “Plani gjashtëpikësh” u adaptua në mënyrë unanime në Këshillin e Sigurimit. Me fjalë tjera atë miratim e votuan edhe miqtë tanë: SHBA, Britani dhe Francë, sikurse edhe disa miq tjerë (si bie fjala: Belgjika, Kroacia, Italia etj.) që ishin anëtare të Këshillit të Sigurimit në atë kohë. Bile, kur e pata pyetur një ministër (nga të sofistikuarit e qeverisë Thaçi 1) se “a jemi në gjendje ne që ta kundërshtojmë atë plan, të cilin e ka miratuar Këshilli i Sigurimit, dhe, si do ta stopojmë realizmin e tij në praktikë?!”, përgjigjja e tij (me nonshlancë) ishte: mos spekulo!

Edhe një diçka: disa deputetë të opozitës të cilët në atë kohë e patën kurajën ta nënshkruajnë mocionin (dhe mos ta tërheqin nënshkrimin) kundër Planit gjashtëpikësh, nuk e kam të qartë se çka i shtyri ata që ta votojnë marrëveshjen Thaçi-Daçiq.

 

Exit mobile version