Site icon Telegrafi

Marrëveshja me Serbinë, Thaçi: Po eksplorojmë të gjitha mundësitë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, të dielën ka pritur senatorin amerikan Ron Johnson, me të cilin ka biseduar për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, me theks të veçantë në përpjekjet për të mbyllur çështjet e hapura në mes të vendeve të rajonit.

Duke e falënderuar senatorin Johnson për vizitën në këtë kohë të zhvillimeve të rëndësishme, sipas presidentit Thaçi, siç është zgjidhja e kontestit rreth emrit në mes të Maqedonisë dhe Greqisë, kreu i shtetit theksoi se po punon për arritjen e një marrëveshjeje që do të ketë efekte pozitive për rajonin.

“Marrëveshja do të jetë e vështirë të arrihet”, ka thënë presidenti Thaçi, duke shtuar se nëse arrihet, ajo do të jetë plotësisht në përputhje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-në, si dhe do të jetë marrëveshje e zbatueshme.

Presidenti Thaçi shtoi se është me rëndësi që të gjithë liderët e rajonit po angazhohen të marrin vendime që janë në të mirë të shteteve të tyre, edhe nëse këto nuk janë vendime popullore.

Duke folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi u shpreh se po “eksplorojmë të gjitha mundësitë për marrëveshje” dhe shtoi se marrëveshja do të jetë në “të mirë të vendit, të rajonit dhe në pajtim me SHBA-në dhe BE-në. Në interes të vendeve tona dhe të investimeve perëndimore në rajon”.

“Në fund, do të jenë qytetarët ata që do ta thonë fjalën e fundit për marrëveshjen”, tha ai.

Ndërsa senatori Johnson u shpreh i kënaqur me zhvillimet në rajon, duke thënë se SHBA përkrahin të gjitha përpjekjet për paqe të qëndrueshme në rajon, përcjell Telegrafi

Exit mobile version