Telegrafi

Marrëveshja që njeh stazhin dhe kursimet pensionale

Drejtues të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë (ISSH), anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës zhvilluan një takim të përbashkët në Prishtinë.

ISSH u përfaqësua nga Drejtoresha, Vjollca Braho, e shoqëruar edhe nga Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Në anën tjetër institucionet pensionale të Kosovës u përfaqësuan nga FKPK-ja, nga Kryesuesi i Bordit, Ymer Havolli, së bashku me anëtarët e tjerë vendës të Bordit, dhe Menaxhmenti i FKPK-së, si dhe nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes Këshilltarit të Ministrit, Behxhet Gaxhiqi, dhe nga Drejtori i Departamentit të Administratës Pensionale, Sami Salihu.

Ky takim i parë kishte për qëllim krijimin e bashkëpunimit zyrtar mes dy vendeve në fushën e pensionimeve dhe nënshkrimin e një marrëveshje të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, që do të çonte në njohjen e stazhit pensional dhe kursimeve pensionale të të punësuarve kontributdhënës në të dyja shtetet.

Pas këtij takimi pritet që të dyja palët të shohin mundësitë konkrete të harmonizimit të legjislacionit përkatës që do të mundësonte këtë proces. Aktualisht vlerësohet se janë me qindra shtetas të Shqipërisë të punësuar në Kosovës dhe anasjelltas.

Përveç kësaj pritshmëritë janë që në të ardhmen e afërt numri i këtyre të punësuarve të rritet ndjeshëm, sidomos pas iniciativës së fundit që tregu i punës mes Shqipërisë dhe Kosovës të liberalizohet plotësisht. /Telegrafi/