Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.
Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.
Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, as zyrtarët e qeverisë aktuale, nuk kanë dhënë ende ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.
Makolli: Pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, nuk janë bërë publike
Sqarime lidhur me pikat, për të cilat ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, nuk ka dhënë as kryesuesi i deritashëm i delegacionit për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues të Kosovës, Ibrahim Makolli.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se megjithëse janë arritur pikat e pajtimit për çështjen e të pagjeturve, ato nuk do të zbatohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, tha Makolli.
Megjithatë, më 19 nëntor të vitit 2020, në mbledhjen e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, Makolli kishte theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve. Sipas tij, kjo nënkuptonte krijimin e “një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.
“Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, pati deklaruar atëherë Makolli.
Familjarët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, pa informacion
Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e rreth shtatë muaj, prej kur është thënë se është arritur pajtimi për çështjen e personave të pagjetur, as përfaqësuesit e familjarëve të tyre nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.
“Askush për asgjë nuk na ka informuar. Vetëm na kanë thënë që është diskutuar, por kurrfarë materiali nuk na kanë dhënë. Na thanë që më vonë do ta diskutojmë, se do ta përpunojnë materialin dhe të na e sjellin. Por, nuk na e kanë dhënë. Ata qe 22 vjet i kanë pasur të njëjtat premtime, por nuk kanë bërë asgjë”, theksoi Grajçevci për REL.